BallinaKryesoreSllovenia i vë Ramës notën: Je si Milosheviçi. Në Tiranë bëjmë si...

Sllovenia i vë Ramës notën: Je si Milosheviçi. Në Tiranë bëjmë si të paanshëm!

spot_img
spot_img

Nga Ilir Nikolla

U desh një analizë e një instituti të huaj studimor që analistët, gazetarët dhe vëzhguesit e jetës publike në Shqipëri të kuptojnë se përpjekja për të qenë të pavarur, politikisht korrektë, është në fakt mbështetja më e madhe që Edi Rama mund të marrë në këto ditë të vështira për juntën e tij. IFIMES, instituti prestigjioz studimor me qendër në Ljubjanë, i kaloi me një frazë të gjitha kritikat prej pambuku që i bëhen Edi Ramës në studiot e Tiranës, se është disi intransigjent, se është disi kokëfortë, se është disi i tëhuajtësuar nga dialogu, apo të tjera përkëdheli të kësaj natyre.

Duke e parë nga jashtë dhe duke peshuar se ç’dëm i jashtëzakonshëm po i bëhet Shqipërisë dhe avenirit të saj evropian, bile-bile edhe stabilitetit të saj shtetëror, prej vendosmërisë së Edi Ramës për të mbetur ngjitur në karrige me çdo çmim, IFIMES i thotë Ramës se po shndërrohet në Milosheviçin e Shqipërisë.

E kush më mirë se shqiptarët e di se ç’ishte Milosheviçi e ç’bënte Milosheviçi. Ai bllokoi rrugën e Serbisë drejt BE, e lidhi fatin e vet politik me Moskën, mori peng ekonominë e vendit të tij për hir të pushtetit korruptiv dhe futi në zjarr gjithë popullin, vetëm për të zgjatur edhe disa muaj pushtetërimin e vet. S’po flasim pastaj për implikimet ndërkombëtare të kësaj politike, futjen e Serbisë në konflikt me NATO-n, shkatërrimin thuajse përfundimtar të shpresave për një marrëveshje paqësore me shqiptarët në rajon si dhe rrënimin e shpresave për ngritjen e një sistemi demokratik vlerash në vend.

Këto rreziqe sheh IFIMES tek sjelljet e fundit politike të Edi Ramës, të cilit nuk i bën përshtypje se kriza politika ka varrosur shpresat për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, se destabilizimi i vendit mund të ngrijë edhe efektet pozitive të anëtarësimit në NATO dhe mund të komprometojë edhe fatin e shtetësisë së Kosovës. Në një plan afatgjatë, Shqipëria mund të rrezikojë të bjerë në sferën ruse apo të shndërrohet në një satelit të trazuar të sferës turke. Të gjitha këto rreziqe e barabisin fare qartë Edi Ramën me Sllobodan Milosheviçin. Këtë krahasim nuk e pamë dot në Tiranë, s’e pikasi kush ndër “vëzhguesit e pavarur”, të cilët ishin më shumë të shqetësuar që të shqiptonin fjali të tilla, si “të gjitha partitë janë njëlloj”, “votat janë vjedhur jetë e mot” apo më e pagëlltitshmja “s’po ndërrojmë gjë, pasi më keq sesa kaq s’ka për t’u bërë”.

Në fakt IFIMES, si organizatë specialistësh që është, sheh shumë më larg dhe na paralajmëron se do të bëhet shumë më keq. Në këtë përmasë të së keqes, mund të them se 1997-a ngjan me të vërtetë një e keqe e vogël, pasi përveç kostove njerëzore dhe një vonese ekonomike që pësoi vendi, s’pati implikime serioze në perspektivën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar herët a vonë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Tani, intransigjenca e Edi Ramës duhet lexuar njësoj si refuzimet e Sllobodan Milosheviçit për të mos u ulur në tryezën e bisedimeve me Kosovën, për të injoruar ultimatumet e NATO-s dhe për të pranuar çfarëdolloj hileje që vinte nga Kremlini. E zbërthyer në realitetin tonë, Edi Rama po refuzon çfarëdolloj dialogu për një zgjidhje politike, po shfaqet thuajse i gëzuar se negociatat e anëtarësimit Shqipërisë nuk do t’i hapen as në tetor, dhe s’pushon së deklaruari haptazi, se vendi ynë ka të tjera alternativa integrimi, përveç BE, duke rikthyer shantazhueshëm alternativat e Turqisë kryesisht, por edhe të Rusisë e të Kinës.

Alarmi vjen nga Sllovenia, është një shuplakë për konformizmin e elitës intelektuale e mediatike të Tiranës dhe nuk duhet të kalojë sikur s’e dëgjuam. Evropa po e sheh Ramën si Milosheviçin e Shqipërisë. Është mjaft si mesazh. Të tjerat na takojnë ne. Ta nisim duke hequr dorë nga baraslargimi, sepse s’mund të ketë baraslargësi me një Milosheviç në kryeministri, sado mangësi të deklamohen se po shfaqin alternativat e tjera politike në vend.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular