BallinaOP EDBumi turistik, me efekt optik e jo jetik!?

Bumi turistik, me efekt optik e jo jetik!?

spot_img

XHEVAT MUSTAFA

Rritja e ndjeshme e shifrës së turistëve nga vende të tjerë, të afërt apo të largët, edhe përtej evropianë, përfshirë mes tyre edhe “ushtrinë” e shqiptarëve me shtetësi të dyfishtë, që kanë ardhur me pasaportat e vendeve ku jetojnë e punojnë prej 32 vitesh apo më vonë si dhe rreth 2 milionë të ardhura nga Kosova, MV, nga Lugina e Preshevës…, është fakt që shihet dhe nuk fshihet.

Që duhet të na gëzojë, por edhe që të na ndihmojë për pasurim, zhvillim, kulturim dhe emancipim qytetar, sidomos në nivelin e sjelljes, pastërtisë në rrugë e plazhe, të shërbimit nëpër restorante, bare dhe lokale të tregtisë. Bumi turistik këto vitet e fundit, fatkeqësisht e jo rastësisht, për faj apo arsye të mënyrës së organizimit dhe funksionimit të turizmit dhe strukturave të tij, pra të modelit allashqiptar të turizmit, me synim parësor pasurimin e madh, kryesisht të bosëve apo oligarkëve në këtë fushë biznesi, nuk u shoqërua me bum në të ardhurat e shumicës së popullit.

Për paradoks dhe demagogji kryeministri, në ekstazë prej këtij bumi, më shumë për merita të Zotit, pozicionit gjeografik, natyrës, dy detërave, liqeneve, lumenjve, maleve, motit me rreth 250-275 ditë me diell dhe temperatura të ngrohta për turistët nga vendet e euroveriore dhe euroqendrore…, bën gjoksin gropë dhe veten edhe më tepër qesharak e të pabesueshëm, duke synuar hapur apo edhe me nëntekst evidentimin dhe reklamimin e tij më shumë si sukses qeverisës apo individual kryeministror. Për të mos ua ngrënë hakën, meritat e qeverive gjatë këtyre 32 viteve në ndërtimet e shumta dhe përgjithësisht të nivelit të turizmit bashkëkohor dhe impresionuese për nga arkitektura, pamja, e jashtme, pajisja përgjithësisht komode e normale e ambienteve të brendshme, gjykoj se janë dy!

E para, mbyllja e syve, veshëve, gojëve dhe firmos- vulosja e lejeve të ndërtimit dhe funksionimit, edhe kur plot prej tyre kanë masakruar mijëra pisha e drurë të tjerë dhe qindra mijëra metra katrorë brigje rëre e deti.

Pra, në plot raste janë ndërtuar bukuri njerëzore duke shkatërruar mrekulli natyrore. Më konkretisht, janë betonizuar qindra mijëra metra katrorë edhe mbi zona të gjelbëruara të përdorura me shekuj për mbjelljen e bimëve bujqësore, të frutikulturës, fruta- zarzavateve… Këto prodhime prej mbi 30 vitesh vijnë në shumicë nga MV, Greqia, Serbia, Turqia, Ukraina, Moldavia, deri nga vende të largëta të Azisë. E dyta, kanë bërë të verbrin, të shurdhëtin, memecin, spektatorin…, kur një numër i madh i pallateve, komplekseve dhe resurseve turistike, nga Velipoja në Ksamil, janë “prodhime” të qindra milionave dollarë, euro, franga, paund… prej drogave dhe korrupsionit, domethënë të industrisë së pastrimit të parave të pista apo kriminale. Në këto kushte, në pamundësi për t’ua ndryshuar origjinën, pamjen, pronësinë…, si dhe duke menduar se me dhjetëra vjet para nesh kështu ka ndodhur në SHBA, në vende të Amerikës Latine, në Itali, Francë, Spanjë, Turqi, Malin e Zi, Kroaci…,na mbetet të ngushëllohemi me faktin se janë ndërtuar në Shqipëri, do të mbeten këtu, do të punësojnë në shumicë djem e vajza nga Shqipëria, do të japin taksa dhe përfitime të tjera për shtetin dhe buxhetin e Shqipërisë! Krahas këtij bumi në fushën e turizmit, më 9 shtator 2023, kryeministri reklamoi edhe një bum tjetër.

Fjala është për rritjen e eksporteve me 70%!? “Harroi” apo qëllimisht anashkaloi të japë shifra e fakte se sa bumi turistik dhe në eksporte kanë ndikuar e do të ndihmojnë për rritjen e të ardhurave e të nivelit të mirëqenies së shumicës së popullit!? Po kështu, nga euforia apo ekstaza nga këto bume thjeshtë statistikore apo shifrore e jo jetësore nuk don të pranojë se bumi në rritjen e çmendur të çmimeve të të gjithë artikujve të konsumit jetik e të përditshëm i ka bërë thjeshtë me efekte optike dy bumet e parë! Vërtetë kanë fituar këta 3-4 muaj bosët e hoteleve, komplekseve dhe të resorseve turistike si dhe qiradhënësit e dhomave e të vilave, por rreth 60% e familjeve shqiptare me të ardhura të pakta ose rreth mesatare, me paga dhe pensione në rreth 15.000-30.000 lekë ose 150 – 300 euro në muaj, nuk kanë pasur mundësi të bëjnë qoftë edhe 1 javë ose 10 ditë pushime nëpër “plazhet e tyre”, sepse çmimet e apartamenteve ose dhomave si dhe të ushqimeve në supermarkete ose minimarkete, me 3 vakte të përfshira ose me gatim vetjak, më 2023 u rritën 30- 50% më shumë. Çmimet në menutë e restoranteve nëpër plazhe ishin të ulët në rreth 25-30% për turistët zviceranë, gjermanë, francezë, britanikë, nordikë, italianë, spanjollë…, por po kaq më të larta se 1 vit më parë e të pa përballueshme për “turistët shqiptarë me kuletë të lehtë ose të çarë”…

Po kështu, duke dalë nga restorantet ose dhomat në hotele, çmimi i shalqinit nuk u ul nën 50 lekë, i pjeprit nuk u ul nën 100 lekë, i patëllxhanëve, kastravecëve, specave, domateve… nën 120 lekë; i patateve dhe qepëve nën 80 lekë; i bamjeve dhe mashurkave nën 150 lekë; i rrushit, fiqve, mollëve, dardhave nën 150 lekë… Krahas këtyre në muajt e bumit turistik shumica e popullit shqiptar me të ardhura të pakta u dëmtua ndjeshëm në nivelin e jetesës edhe nga rritja e çmimeve të karburanteve, të biletave të udhëtimit me autobusë dhe mikrobuzë në drejtim të qyteteve bregdetarë apo turistikë si dhe të biletave të avionëve…Ky breshër apo ortek rritjesh gjatë sezonit turistik u shoqërua edhe me uljen e ndjeshme dhe më shumë të provokuar nga brenda, të kurseve të këmbimit apo të vlerës së monedhave kryesore, euros, dollarit, paundit, frangave zvicerane në raport me lekun. Kjo dëmtoi më shumë se turistët e huaj, familjet shqiptare që mbijetojnë me ndihmat financiare nga fëmijët e tyre e fare të afërm të tjerë me jetesë dhe punësim në vende të Perëndimit të afërt ose të largët si dhe nga Greqia, Austria… Ah, për pak harrova, atë 5.000 lekëshin që u jep Rama- qeveria çdo 1 janar ose rritjen e pagave dhe pensioneve me 3-5% çdo 1 prill punonjësve nëpër dikastere, në institucione qeverisëse dhe shtetërore, në administratën publike si dhe pensionistëve, ua marrin tregtarët e mëdhenj, të mesëm e të vegjël ose pa i tërhequr akoma nga postat dhe bankat, ose brenda muajit janar e prill me rritjen e menjëhershme, në 20-25% të çmimeve, si me urdhër apo telekomandim unik, nga një qendër komandimi, natyrisht, me bindje të plotë e jo për avokati të qeverisjes, me vendndodhje jo në kryeministri dhe në ministritë përkatëse…!

Shprehur hapur apo fare shqip: kjo dukuri e hershme allashqiptare e rritjes së çmimeve jo sipas të dhënave nga bursat apo jo sipas logjikës ekonomiko-financiare, ka ndodhur dhe ndodh sipas interesave vetjakë për të përfituar sa më shumë tregtarët e tre niveleve, në kurriz të blerësve apo konsumatorëve. Nënkuptohet se këta kanë bërë këtë përshesh, sepse kanë gjetur shesh në hallkat dhe institucionet që duhet t’i kontrollojnë për çmimet, cilësinë e prodhimit, afatet e konsumimit apo të skadencës, për sasitë e sakta të mallrave, duke filluar nga llojet e bukëve, të cilat rriten shpesh dhe arbitrarisht si çmime dhe ulen si peshë…!!!??? Po kështu, nuk mund të harrohen nga panorama e turizmit shqiptar edhe disa detaje apo përjetime të tjera të pakëndshme dhe kuletazbrazëse. E kam fjalën për rritjen e çmimeve për 1 çadër e dy shezlongë, deri në 700-1.200 lekë; kufizimi ne copëza v e a p o r r i p a v e t ë rërës për plazh publik apo pa pagesë e lënia e tyre pa u pastruar me ditë të tëra, që pushuesit të lemerisen nga pisllëku e të detyrohen të shkojnë në zonat private. Nuk mund të harrohet lehtë e shpejt edhe ikja e shpeshtë e energjisë elektrike dhe e ujit, edhe gjatë ditëve…e më së shumti e për më keq, befasisht apo pa paralajmërim…Këtyre mund t’u shtohen edhe shqetësimet për sytë dhe trupat nga plehrat, me të cilët ndeshesh edhe jashtë koshave, edhe pse janë bosh ose të mbushur as tek gjysma; pickimet nga mushkonjat, si rrjedhojë e “harresës” apo e kursimit të disa dhjetëra mijërave lekë për të bërë spërkatjen kundër tyre shumë herët para fillimit të sezonit turistik, në mars-maj…!?

Kujtdo që u ka lind dëshira të shëtisin më këmbë gjatë bregut të detit dhe rërës nga Karpni në Shkëmbin e Kavajës duhet t’u kenë rënë në sy kanale apo rrëke të mbuluara me gurë ose dhe, nëpërmjet të cilëve ujërat e zezë të vilave, pallateve, hoteleve, lokaleve nëpër plazhet e kësaj zone derdhen akoma edhe sot e kësaj dite në det!? Duke qenë i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të Impiantit të pastrimit të ujërave të zeza në Karpen-Qerret të Kavajës, rreth 20 vjet më parë, investim në rreth 15- 20 milionë euro nga qeveria e Austrisë nëpërmjet KFW-së, kur isha me pushime në plazhin e Qerretit ndjeva keqardhje dhe revoltim, kur njeri nga specialistët që kishte punuar për disa vite në këtë impiant më informoi se nuk funksion më prej disa vitesh, edhe pse makineritë janë në gjendje pune normale. Arsyeja: Bashkia e Kavajës, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, pronarët e komplekseve turistike apo të hoteleve më të mëdha, nuk shqetësohen dhe bashkohen për të mbledhur as 1.5-2 milionë euro në vit për të blerë kimikatet e nevojshme dhe për të siguruar pagat e personelit të pakët për ta rivënë në punë këtë impiant me teknologji moderne dhe që ndihmon ndjeshëm për pastërtinë e ujit të detit në qyteza-plazhet e asaj zone!?

Fatkeqësisht, kjo panoramë e përgjithshme, me të mirat e të këqijat e saj dhe këto fakte, edhe ato fare të freskëta, nuk flasin për bum në zhvillimin ekonomik, në rritjen e të ardhurave mujore e vjetore, sidomos në paga dhe pensione, pra në mirëqenie; në mbrojtjen e ambientit, shëndetit dhe jetës së njerëzve… në Shqipëri, por për “bum” në varfërim, korrupsion, kriminalitet, emigracion, depresion social, enverizim, rritje të çmendur çmimesh… Këto e zhvleftësojnë ndjeshëm edhe bumin sasior apo optik turistik…Arsyeja është e lehtëkuptueshme! Sepse nga milionat prej turizmit 4-5 mujor, siç funksion në Shqipëri, pasurohen disa dhjetëra bosë hotelesh dhe kompleksesh të mëdha si dhe mijëra pronarë e familje që japin vila dhe apartamente me qira.

Ndryshe nga të parët, shumica nga ky kontingjent nuk mund të bëhen milion erë me 2.000-3.000 euro në vit përfitime nga turistët shqiptarë apo të huaj. Duke u shprehur më konkretisht e me dëshirën për më shumë tolerancë dhe pozitivitet, me disa shifra të përafërta, prej “bumit turistik” gjatë sezonit veror 2023 janë pasuruar 1.000, 10.000, 20.000, 50.000,100.000, 200.000 individë e familje! Por, Shqipëria ka rreth 700.000 familje dhe rreth 2. 5 milionë banorë, sepse afro 1 milion kanë ikur këta 15 vitet e fundit! Shumica e pensionistëve, rreth 700 mijë vetë, i kanë pensionet nga 100-200 euro në muaj, kur çmimet në tregjet shqiptare të të gjitha natyrave dhe përmasave janë dyfishuar. Këtu, edhe në shtator 2023, paradoksalisht, sapo u përhap “përralla” apo “sihariqi” për lum apo det me naftë nga Shpiragu, rifilloi rritja e shpejtë e çmimeve të karburanteve. Edhe pse jemi vend prodhues, 1 litër naftë e benzinë në Shqipëri kushtojnë më shtrenjtë se në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, por edhe se në Greqi, Itali, Gjermani…! Shkurt e shqip: ka “bum turistik” në shifra e pamje; në avionë dhe aeroporte, në tragete dhe porte, nëpër rrugë, plazhe, bar-restorante, qendra historike dhe muzeale…, por jo në mirëqenie e jetesë, në kuletat dhe tavolinat e ngrënies të rreth 60% të familjeve me të ardhura të ulta e nën mesatare në Shqipëri.

Nuk është e vështirë për t’u kuptuar, se duke dalë 3-4 herë në çdo emision lajmesh në televizionet proqeveritare në Shqipëri e në disa televizione italiane për “bumin turistik”, për “bumin e naftës së Shpiragut” dhe së fundmi, për “bumin e eksporteve”… Edi Rama synon, dëshiron dhe llogarit që të harrohen sa më shpejt e gjatë ca bume të tjerë! Edhe më troç: që bumi turistik, “bumi i eksporteve”, bile edhe ai futbollistik i ekipit kombëtar gjatë këtij viti, të shërbejnë dhe shfrytëzohen edhe si fasada apo dengje me gjethe fiqsh ose degësh kanabizi për të mbuluar dështimet dhe pisllëqet e qeverisjes! Domethënë: “bumin kanabizistik”, “bumin kullaistik”, “bumin e vota-blerje-vjedhjes”, “bumin Arben Ahmetaj”, “bumin Rraja”, “bumin Safet Gjici”, “bumin e inceneratorëve”, “bumin e tenderave, koncesioneve, PPP- ve; “bumin e prangave” nga rrethi i ngushtë i bashkëpunëtorëve të tij, ”bumin e rritjes së vlerës së lekut e të uljes së euros”…e plot bume të tjerë abuzivë apo të sajuar…!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular