Dhuna ndaj grave dhe vajzave është një nga shkeljet më të përhapura, të vazhdueshme dhe shkatërruese të të drejtave të njeriut në mbarë botën. Pabarazia gjinore vazhdon në mbarë botën. Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i grave dhe vajzave do të kërkojë përpjekje më të fuqishme, duke përfshirë kuadrin ligjor, për të luftuar diskriminimin me bazë gjinore, që shpesh vjen si rezultati qëndrimeve patriarkale dhe normave shoqërore.
Pse është vendosur “Dita Ndërkombëtare e Eliminimit të Dhunës ndaj Grave”?
Dhuna ndaj grave është shkelje e të drejtave të njeriut.
Dhuna ndaj grave është pasojë e diskriminimit ndaj grave, në ligj dhe në praktikë, si dhe pabarazi e vazhdueshme midis burrave dhe grave.
Dhuna ndaj grave ndikon dhe pengon përparimin në shumë fusha, duke përfshirë çrrënjosjen e varfërisë, luftën kundër HIV dhe AIDS, paqen dhe sigurinë.
Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është e pashmangshme. Parandalimi është i mundur dhe thelbësor.
Faktet kryesore:
Dhuna ndaj grave, veçanërisht dhuna nga partneri intim dhe dhuna seksuale, janë probleme të mëdha të shëndetit publik dhe shkelje e të drejtave të njeriut (të grave).
Vlerësimet globale të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se rreth 1 në 3 (35%) gra në mbarë botën kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri intim ose nga partneri jo intim, gjatë jetës së tyre.
Globalisht, deri në 38% e vrasjeve të grave kryhen nga një partner intim mashkull.
Dhuna mund të ndikojë negativisht në shëndetin fizik, mendor, seksual dhe riprodhues të grave, dhe mund të rrisë vulnerabilitetin ndaj HIV-it.
Faktorët që lidhen me rritjen e rrezikut të kryerjes së dhunës përfshijnë arsimimin e ulët, keqtrajtimin në fëmijëri ose ekspozimin ndaj dhunës në familje, përdorimin e alkoolit, pranimin e dhunës dhe pabarazisë gjinore.
Faktorët që lidhen me rrezikun në rritje të përjetimit të dhunës nga partneri intim përfshijnë arsimimin e ulët, ekspozimin ndaj dhunës midis prindërve, abuzimin gjatë fëmijërisë, pranimin e dhunës dhe pabarazisë gjinore.
Vlerësime globale dhe rajonale të dhunës kundër grave
Pothuajse një e treta (30%) e të gjitha grave që kanë qenë në një marrëdhënie kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri i tyre intim.
Globalisht, rreth 38% e të gjitha vrasjeve të grave janë kryer nga partneri intim. Përveç dhunës intime nga partnerët, në nivel global 7% e grave raportojnë se janë sulmuar seksualisht nga dikush tjetër përveç një partneri, edhe pse të dhënat për dhunë seksuale(jo nga partneri) janë më të kufizuara. Dhuna seksuale nga partneri intim kryhet më së shumti nga burrat kundër grave.