Nga Merxhan Jakupi
Shumë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe trojet e tjera shqiptare, në periudhën e Jugosllavisë së Titos, u dergjën nëpër burgjet jugosllave. Pas daljes nga burgjet, ata u nënshtroheshin hetimeve dhe torturave psikike, duke i akuzuar për irredentizëm, separatizëm dhe për kundërrevolucion. Ish të burgosur politikë, për të shpëtuar nga reprezaljet, torturat, disa sish, u arratisën në shtetin amë, por këta atje u trajtuan si “dele e zezë” dhe si shumë të rrezikshëm.
Këta shqiptarë, pas kalimit të kufirit, arrestoheshin nga policët dhe agjentët shqiptarë, kinse janë spiunë, kolaboracionistë dhe agjitatorë të UDB-së jugosllave. Shumë nga këta shqiptarë që ishin arratisur në Shqipëri, u burgosën atje dhe u internuan nëpër burgjet më famëkeqe të saj. Një numër i tyre u dënuan 1o deri 2o vjet burg dhe pas daljes nga burgjet e shtetit amë, sigurimi i shtetit i dorëzonte UDB-së jugosllave.
Të përndjekurit dhe të burgosurit politikë shqiptarë arratiseshin në Shqipëri shkaku i propagandës dhe indoktrinimit të tyre dhe besimit se në shtetin amë njerëzit janë më të lumturit e botës. Ata nuk e njihnin mirë Shqipërinë komuniste, që ishte një ndër shtetet me ndikim të madh ideologjik stalinist dhe me diktaturë të egër në mbarë kampin komunist.
Survejimi nga organet e sigurimit
Në fillim të viteve të 70-ta, të dyja qeveritë, ajo e Beogradit dhe e Tiranës, vulosën një trakt, sipas të cilit të arratisurit shqiptarë nga të dyja anët e kufirit duhej të ekstradoheshin në Beograd apo në Tiranë. Sipas një ligji, të arratisurit shqiptarë që kishin ikur në Shqipëri, organet e sigurimit të shtetit shqiptar, këta të përndjekur e të akuzuar për vepra armiqësore i dërgonin në kufirin jugosllav, ku i pranonte UDB-a jugosllave. Ndërsa shqiptarët e Shqipërisë që ishin arratisur në Jugosllavi, Beogradi i ekstradonte dhe ua dorëzonte kompetentëve të Tiranës. Ky mish-mash ishte një çmenduri dhe dukej paksa tragjikomike. Radio-Tirana derdhte lot krokodili për këta të fatkeq, edhe pse ata, sipas Konventës së Gjenevës, duhej të kishin statusin e azilit politik. Në anën tjetër, Radio-Tirana vajtonte për gjysmën e kombit që kishte mbetur nën federatën jugosllave, kinse mbronte kauzën e popullit shqiptar të ndarë nga trungu amë.
Beogradi dhe Tirana, sipas konventës ekzistuese, duhej t’ia dorëzonin ata të arratisur e të akuzuar në Komisariatin e OKB-së në Itali ose Greqi. Asambleja e KB-së në disa rezoluta ka dënuar të dy shtetet, Jugosllavinë dhe Shqipërinë, për shkelje flagrante të të drejtave të këtyre të burgosurve politikë.
Pas shembjes së komunizmit, ishte për t’u habitur se në dosjet e tyre nuk u gjet asnjë delikt dhe akuzë, ndonëse sigurimi i shtetit i kishte akuzuar për spiunazh, agjitacion dhe tradhti kombëtare.
Atdhetari sypatrembur nga Malësia
Njeri nga ata që kishin vuajtur nëpër burgjet dhe qelitë jugosllave dhe atyre të Shqipërisë komuniste, ishte atdhetari i paepur, Rrahim Neziri nga Tetova. Ky patriot, revolucionar, para një kohe iku nga kjo botë. Ai, që në rini ishte një atdhetar i sypatrembur, vizionar për çështjen dhe kauzën kombëtare. Si i tillë që ishte, veprimtar i shquar, Rrahim Neziri shpesh nga pushtetarët dhe UDB-a ishte torturuar. Në fillim të viteve të 60-ta u arratis në Shqipëri, së bashku me një shok, bashkëfshatar nga Shipkovica e Malësisë së Tetovës. Ky fshat ishte njollë e zezë dhe bastion i rebelizmit ndaj pushtetit jugosllav.
Ky militant dhe patriot ishte arratisur dhe kishte ikur në shtetin amë, për të shpëtuar nga golgota, reprezaljet e UDB-së jugosllave. Pasi kishte kaluar kufirin, sigurimi i shtetit të Shqipërisë e kishte burgosur. Torturat çnjerëzore dhe reprezaljet nga hetuesit dhe gardianët e burgut ishin tepër të rënda. I pandehuri akuzohej si spiun, agjitator dhe tradhtar i kombit. Rrahim Neziri u akuzua si gjithë shqiptarët që ishin arratisur në Shqipëri: për spiunazh, agjitacion dhe propagandë, duke u dënuar me burg të rëndë prej 10 vjetësh e 7 muaj.
Pas daljes nga burgjet e Shqipërisë, sigurimi shqiptar e kishte dorëzuar Rrahimin tek sigurimi jugosllav. Ai vite të tëra ishte aktivist i çështjes kombëtare, duke filluar nga vitet e 80-ta, së bashku me veprimtarin tetovar, Zaim Beqiri, si dhe disa të tjerë nga fshatrat e Malësisë së Sharrit, të cilët, më vonë, u burgosën nga UDB-a, me akuzën për veprimtari armiqësore nga pozitat e ashtuquajtura nacionaliste dhe separatiste, duke u dënuar me burg të rëndë për shumë vite. Rrahimi mbajti 7 vjet e gjysmë burg, ndërsa me fillimin e proceseve demokratike në këtë vend, ai ishte liruar.
Ky malësor ishte me zemër çeliku, asnjëherë nuk ishte penduar për burgosjet që i vuajti, për të realizuar kauzën kombëtare. Ai në moshën e thyer mbante mbi shpatulla flamurin kombëtar. Si malësor kishte shpatulla të gjera dhe mjekër të bardhë. Fliste pak, por me një zë kumbues, tërheqës, që jepte përshtypjen e një atdhetari të mirëfilltë