Libri “Dilema Kushtetuese III” vjen me 15 krerë, pas 5 vitesh nga botimi i vëllimit të dytë dhe pas 7 vitesh nga botimi i vëllimit të parë të këtij periodiku të së drejtës të autorit, gjyqtarit të Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Florjan Kalaja. Libri është një botim ku trajtohen përgjithësisht çështje të praktikës gjyqësore të vendosura gjithnjë në këndvështrimin e standardeve të së drejtës kushtetuese. Libri është përmbledhje dhe përzgjedhje e problematikave gjyqësore të akumuluara si eksperiencë profesionale gjatë kohës së ushtrimit të detyrës së gjyqtarit në Gjykatën e Apelit Durrës, në Gjykatën e Apelit Shkodër dhe në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në libër trajtohen çështje të tilla si përplasja e juridiksionit gjyqësor me juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese mbi shqyrtimin e akteve normative nënligjore; aksesi i të gjithë llojeve të viktimave në procesin penal në të gjitha fazat dhe shkallët e gjykimit; problemet kushtetuese dhe ligjore të mbivendosjes së dënimeve penale në formacionet e krimit të organizuar për të njëjtin fakt penal; prekluziviteti i apeleve dhe rekurseve në çështjet gjyqësore civile dhe administrative; problemet kushtetuese dhe ligjore të ndalimit të zbatimit të gjykimit të shkurtuar për veprat penale me autorë të miturit, femrat, bashkëpunëtorët e drejtësisë apo për tentativën, kur rezulton se ligji për veprën penale parashikon dënimin me burgim të përjetshëm në strukturën e sanksionit penal; problemet e ligjit procedural penal në mënyrën se si rregullohet kompetenca lëndore në fazën e hetimeve paraprake; aksesi në juridiksionin fillestar dhe rishikues gjyqësor administrativ të subjekteve të paaftë për punë për përcaktimin e invaliditetit dhe përfitimet nga mbrojtja shoqërore e tyre; problemet kushtetuese dhe ligjore të mos-shqyrtimit të padisë civile në procesin penal; problemet kushtetuese dhe ligjore të pikës 4 të nenit 420 të Kodit të Procedurës Penale; problemet kushtetuese dhe ligjore të veprës penale të pushtimit të tokës; problemet kushtetuese dhe ligjore të parashikimit të kthimit të menjëhershëm të padisë; problemet kushtetuese të mosnjohjes nga ligji të kompetencës së gjykatave të posaçme penale në fazën e ekzekutimit të veprave penale apo subjekteve për të cilat ato kanë kompetencë lëndore sipas Kushtetutës dhe ligjit; problemet e ligjit dhe praktikës gjyqësore të ndryshimit të vendimit penal të pafajësisë në juridiksionin gjyqësor rishikues; nevojën dhe domosdoshmërinë e njohjes si parim kushtetues të kodifikimit të së drejtës pozitive dhe problemet kushtetuese të dënimeve fikse me burgim të përjetshëm që parashikon Kodi Penal.
Në libër ka artikuj që botohen për herë të parë por edhe artikuj të cilët janë ripunuar dhe retushuar, duke i përditësuar me zhvillimet më të fundit ligjore, jurisprudenciale dhe doktrinare.
Parathënien e librit e ka bërë konstitucionalisti Prof. Dr. Enver Hasani. Në këtë mënyrë literatura juridike në Shqipëri shtohet me një botim që duhet të konsultohet nga studentët, lektorët, juristët dhe kushdo praktikant i së drejtës.
Florjan Kalaja është autor i shumë shkrimeve juridike të botuara në revista periodike shqiptare dhe të huaja, i shumë shkrimeve publicistike të botuara në gazetat e përditshme në Shqipëri dhe i librave “Gjykimi në mungesë në procesin civil”; “Dilema kushtetuese I”, “Dilema kushtetuese II”, “Gjykimi në Gjykatën e Lartë”, “Lirimi me kusht”, “Dilema Kushtetuese III”.