Kredia e dhënë nga institucionet financiare jobanka u rrit me ritme dyshifrore vitin e kaluar.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i huasë i institucioneve financiare jobanka në fund të vitit 2023 arriti në 56 miliardë lekë ose pothuajse 540 milionë euro.
Portofoli i kredisë i dhënë nga këto institucione është rritur me afërsisht 14% krahasuar me fundin e vitit 2022. Në pjesën dërrmuese, portofoli kredisë së institucioneve financiare jobanka i takon institucioneve financiare jobanka të kredidhënies dhe të mikrofinancës. Kredia e dhënë nga mikrofinanca përbën rreth 7% të portofolit të total të kredisë për ekonominë shqiptare.
Kredia e dhënë nga këto subjekte u rrit me ritme disa herë më të larta krahasuar me sektorin bankar, ku rritja e kredisë për vitin 2023 ishte rreth 4.2%.
Megjithatë, kredia e institucioneve financiare jobanka jepet kryesisht në monedhën vendase dhe kjo ka bërë që efekti i forcimit të Lekut në kursin e këmbimit të jetë më i vogël krahasuar me sektorin bankar. Në fund të vitit 2023, kredia në Lekë përbënte rreth 70% të vlerës totale të portofolit të kredisë.
Mikrofinanca në Shqipëri përmbush kryesisht nevojat konsumatore të individëve dhe aktivitetin e bizneseve të vogla dhe mikro. Mikrofinanca ka si objektiv kryesisht atë segment që ka vështirësi për të siguruar akses për financim nga sektori bankar, duke përfshirë subjektet me të ardhura më pak të formalizuara dhe fermerët.
Megjithatë, duke shfrytëzuar teknologjinë, institucionet e modelit fintech kanë fituar një avantazh konkurrues në ofrimin e kredive ë kohë shumë të shpejtë dhe me procedura minimale, madje pa qenë nevoja që klienti të paraqitet për tu identifikuar dhe për të firmosur fizikisht.
Praktikat më dinamike u japin këtyre institucioneve një avantazh në raport me sektorin bankar, por ana tjetër e medaljes është se në përgjithësi kredia e dhënë prej tyre është ndjeshëm më e shtrenjtë krahasuar me sektorin bankar.
Institucionet e mikrofinancës kanë kosto më të larta të fondeve, marrin përsipër rreziqe më të mëdha dhe japin kredi në vlera mesatarisht të vogla. Të gjithë këta faktorë përcaktojnë një çmim më të lartë të kredisë.
Që prej vitit 2022, mikrofinanca konsumatore është ndikuar edhe nga aplikimi i një norme tavan interesi për kreditë konsumatore. Por, sipas ndryshimeve të përkohshme rregullatore që u miratuan në mars të vitit të kaluar, përditësimi i normës maksimale efektive të interesit për kreditë deri në 200 mijë lekë dhe për ato nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë u pezullua deri në fund të vitit 2023.
Megjithatë, me përfundimin e afatit të “ngrirjes” së NEI-t maksimal, në fillim të këtij viti ky tregues ka pësuar një rënie të ndjeshme për shumicën e produkteve dhe fashave sasiore të kredisë konsumatore.
Norma efektive maksimale e interesit (NEI maksimal) për kreditë konsumatore në lekë, për shumat deri në 200 mijë lekë është ulur në 100%, nga 118.96% që kishte qenë deri në fund të vitit të kaluar. Norma efektive maksimale e interesit përfshin normën nominale të interesit, komisionet e aplikuara nga huadhënësi dhe të gjitha kostot e kredisë që i transferohen klientit.
NEI maksimal për kreditë nga 200 mijë lekë deri në 600 mijë lekë ka pësuar gjithashtu një ulje të ndjeshme në 40.6%, nga 47.07% që kishte qenë deri në fund të vitit të kaluar.
Aplikimi i një norme tavan interesi për kreditë konsumatore në Shqipëri nisi në fillim të vitit të vitit 2022. Sipas Bankës së Shqipërisë, arsyeja kryesore ishte mbrojtja e konsumatorit nga normat potencialisht abuzive të interesit, të aplikuara kryesisht nga disa institucione financiare jobanka.
Sipas rregullores “Për kredinë konsumatore dhe hipotekare”, NEI maksimal llogaritet nga Banka e Shqipërisë me bazë gjashtëmujore, mbështetur në të dhënat e Regjistrit të Kredive të administruar prej saj. Nivelet e NEI-t maksimal publikohen në fillim të çdo 6-mujori dhe bazohen në kreditë e disbursuara në gjashtëmujorin paraardhës. Ky tregues ndërtohet si mesatare e normës efektive të interesit për secilin produkt dhe interval, e shtuar me një të tretën. /E.Shehu