BallinaOP EDOpozita e “bashkuar” rreth Edi Ramës

Opozita e “bashkuar” rreth Edi Ramës

Nga Desada Metaj 

Që prej çarjes së madhe te PD-së pas shpalljes non grata të Sali Berishës, retorikë qëndrore e pjesës më të madhe të deputetëve të opozitës ka qenë bashkimi. Më shumë se analiza për arsyet e ndarjes, shkaqet që çuan në skenat e turpshme të 8 janarit apo akuzat dhe llumi që u hodh pa kursim, fokusi ishte bashkimi. Dhe kur më në fund bashkimi ndodhi, bashkë me zbythjen nga revolucioni permanent ai solli dhe ndryshimin e kursit të betejës së Rithemelimit me qeverinë.

Produkti i parë politik i bashkimit të “shumëpritur” ishin komisionet hetimore parlamentare. Që me ndryshimet e miratuara nga mazhoranca pa debat në kohën që “bashkimi” hidhte tymuese, kanë më pak hapësira për hetim dhe tashmë është shumica ajo që do të vendosë nëse mbledhjet do të jenë të hapura ose jo për median. Përtej kësaj, ndryshimi i objektit të hetimit të komisionit hetimor për koncencionet në shëndetësi duke tkurrur nga 4 në 2 numrin e koncencioneve në shqyrtim tregoi qartë se interesat e vogla të opozitës vlenin më shumë se interesi publikut për vjedhjet e qeverisë.

Aktualisht komisioni hetimor do të hetojë koncencionin e sterilizimit (për të cilin Spak ka dërguar dosjen në Gjykatën e Posaçme) dhe atë të check-up. Paradoksalisht, koncencioni i dializës dhe ai i pajisjeve laboratorike (që hetohet ndërkohë nga Spak) u tërhoqën nga kryetarja e komisonit Albana Vokshi si objekt hetimi i komisionit pa ndonjë arsye të qartë. I qartë për publikun mbetet fakti që opozita në tërësi por dhe në copëzat e saj, ka interesa të qarta dhe të ngushta të lidhura me kuletën e çdo biznesi që ka përfituar nga fondet publike.

Dhe është kaq e dukshme kjo, sa së fundmi opozitarët e post revolucionit permanent, thjesht po qarkojnë rrethin ku do veprojnë për t’u dukur aktivë si opozitarë e për t’iu afruar sa më afër listës së doktorit që mund t’i rizgjedhë si deputetë. Kjo përpjekje, si çdo hap më pranë doktorit ka sjellë dhe konkurrencë brenda llojit dhe të qënurit marionetë e makinacioneve të tij nuk është më lajm.

Sikundër betejat falce të Berishës me Edi Ramën nuk bëhen më për të marrë pushtetin por thjesht për të marrë nga kryeministri karrigen e opozitës. Kjo ndodhi dhe me marrveshjen e fundit mes tyre, pjesa e dukshme dhe e padukshme e së cilës i dha jo pak kosto Berishës tek mbështetësit .

E për këtë duhej pak bojë e re për të lyer fasadën e vjetër të betejës me qeverinë. Me bojën e kësaj fasade janë përzier dhe penelat që risollën në vëmendjen e publikut akuzat për përfshirjen e vëllait të kryeministrit në dosjen e Xibrakës. Riciklimi i akuzave me shumë zhurmë në ditën kur Spak ndaloi disa drejtorë të Bashkisë së Tiranës, në rastin më të mirë mund të konsiderohet një përpjekje për të marrë vëmendje më shumë se kolegët e Rithemelimit që tundnin e shkundnin akuzat e Spak.

Në rastin më të keq mund të konsiderohet si lëvizje e sponsorizuar nga biznesmenët e afërt me interesat e klaneve të mazhorancës për t’u përfshirë e kapur një copë nga ajo që konsiderohet si luftë e brendshme në PS.

Në të dyja rastet rishtarë në një fushë e lojë të vjetër, mjaftuan vetëm pak orë për të kuptuar se sinqeriteti i vetëm politik që ka treguar “bashkimi” gjatë javëve të fundit është ai i marrveshjes së dukshme me Ramën. Sa për pjesën e akuzave ndaj të vëllait, zhurma ishte gjurma e vetme që mbeti pas paralajmërimit për padi, që në fakt rezultoi thjesht kërkesë për indicie nisje hetimesh dhe u telendis pak më vonë në interpelancë me Edi Ramën.

Që do të thotë prapë shumë zhurmë, publikimi i ndonjë fotoje vjedhurazi në stilin e “liderit historik” që pasohet si përherë nga boshi i madh i harresës dhe inflacioni i akuzave që politika bën në interes të politikës. Nëse vërtet beson tek beteja me Edi Ramën dhe ke fakte të forta, mblidh dokumentat apo foto qofshin, harto një akuzë për të qenë e dorëzoje në Spak.

Përndryshe, nëse i frikësohesh padisë së rreme dhe efektit “babale” gjej një kauzë tjetër. Ka kaq shumë abuzime në këtë vend, sa vetëm pak vullnet dhe pak më shumë guxim duhet për të qenë e jo për t’u dukur si opozitarë. Seleksionimet për të denoncuar abuzimet si në rastin e komisionit hetimor të koncencioneve në shëndetësi apo gënjeshtrat e vogla për kauza të mëdha janë dukshëm në formë e përmbajtje kopje të shëmtuara të asaj që shohim e prekim prej dhjetra vitesh.

E nëse origjinali ka aftësinë dhe fuqinë të ruajë me çdo formë e mënyrë pushtetin e tij, ju si opozitë po na tregoni se edhe të ndarë edhe të bashkuar jeni të paaftë për t’u konsideruar alternativë. Sepse ndoshta ende se keni të qartë se shkak i vërtetë për ndarjen është mënyra e të bërit politikë që në tranzicionin shqiptar konsiderohet “berishizëm”.

Dhe nëse mendoni se me këtë mënyrë të dalë boje, me akuza të selektive dhe të stisura, me beteja false apo me marrveshje të fshehta do të jeni alternativë përballë Edi Ramës, e sigurt është që betejën e keni të humbur. Opozitë e mirë për një vend është ajo që konsiderohet si alternativë qeverisëse.

Sa për të qenë konsideruar si “opozitë e vërtetë” apo “të bashkuar” mos i shpenzoni kot bizneset dhe mos lodhni kot Edi Ramën se ju ka zgjedhur e caktuar prej kohësh si të tillë. Jo se jeni, ju vlerëson, apo jeni në gustot e tij. Thjesht i duheni si të tillë!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular