Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 komentoi deklaratën e drejtuesit të SPAK Altin Dumani gjatë raportimit në KLP, e cila bëri bujë në media dhe opinionin publik.
Ajo u shpreh se deklarata e Dumanit është nxjerrë jashtë konteksti dhe se ai bëri një paraqitje korrekte të punës së tij.
Sakaq, Ballanca e cilësoi nxjerrjen jashtë konteksti të deklaratës së kryeprokurorit si “një furtunë në gotë”
“Do të doja të adresoja një problematikë. U bë një debat lidhur me një raportim që bëri kreu i SPAK në KLP. Zoti Dumani bëri një paraqitje korrekte të punës. Fakti është që zhurma u bë për diçka që është nxjerrë nga konteksti. Qëllimi i asaj deklarate nuk mund të ishte fakti që gjykata bën çfarë thotë SPAK. Gjykata nëse personi shpallet i pafajshëm nga SPAK, nuk mund të dënojë. Akuza i takon prokurorive. Ai është personi që konsideron veprën ndërsa gjykata baraspeshon gjithë rrethanat. Nxjerrja jashtë konteksti e kësaj fraze ishte një furtunë në gotë dhe nuk ishte ajo fryma”, u shpreh ajo