Arben Vyshka nga Elbasani denoncon në “Stop” mbesën e tij Sonila Leci, me profesion avokate, po në këtë qytet.
Konflikti mes xhaxhait dhe mbesës ka lindur për shkak të pronësisë. Në vitin 1994 dy vëllezërit Vyshka vendosën që të ndërtonin një shtëpi 3 katëshe në oborrin e shtëpisë së vjetër.
“Meqë shtëpia ishte rrënuar me mirëkuptimin e prindërve ramë dakord që unë të zhvilloja shtëpinë në fushën ku ishte shtëpia e vjetër. Ndërtova shtëpinë. Më propozoi edhe vëllai tjetër që jetonte në pallat tek lagja “29 Nëntori” në katin e pestë me dy dhoma e një kuzhinë dhe pretendoi që edhe ai ka qejf të zhvillojmë shtëpinë bashkë”, tha ai.
Me dokumentet e shtëpisë u mor vëllai i madh Aliu, pasi Arbeni më shumë punonte në Greqi. Dokumentet e pronës u bënë te noterja Majlinda Lato, gjithsej tre dokumenta.
“Ramë dakord me prindërit bashkë dhe me vëllain që shtëpia të zhvillohej tre kate dhe në katin e parë dhe të dytë propozoi vëllai që meqë jam lodhur me pallatin, të rri unë në katin e parë dhe të dytë. Nuk ka problem se unë isha i ri, 30 vjeç. Me një kusht thashë unë që do kemi të ndara dhe hyrjet. Ti do kesh hyrjen tënde dhe unë do kem hyrjen e shtëpisë ekzistuese me shkallë më vete dhe nga jashtë”, tha ai.
Konflikti mes vëllezërve nisi për tendën, që u vendos mbi katin e tyre.
“Ndërtoi një tendë përpara katit të 3. Bëra shumë debat. Erdhi policia. Më thanë o Arben ti je vetë në institucion se atëherë punoja në institucion të bashkisë edhe më thanë që merr rrugën ligjore. Në fund fare nuk e prishi sepse këta hapën gjyq”, tha Vyshka.
Në këtë moment hyn në lojë mbesa avokate Arbenit, Sonila Leci, e cila hapi një proces gjyqësor kundër INUK Elbasan, që vendosi prishjen e tendës së vendosur nga i ati Ali Vyshka, që sot nuk jeton më.
“Gjyqi zgjati dy vjet. Fitoi institucioni. Me vendim të Shkallës së Parë, të Apelit dhe me vendim të Gjykatës së Lartë u la në fuqi për prishje. Vjen urdhri i ekzekutimit, paralajmërimi, brenda harkut 5 ditor kjo bëri të mundur që hapi gjyq dhe tha pavlefshmëri absolute. Hapi gjyq tjetër. Këtu u pretenduar pavlefshmëri absolute të njërës prej kontratave”, tha ai.
Por në skenë ka dalë një tjetër kontratë, me emrin e noteres Majlinda Lato, sipas të cilës Arbeni ia ka falur të gjithë shtëpinë të vëllait, Aliut. Ka dyshime të arsyetuara, që kjo kontratë është e falsifikuar dhe nuk është firmosur nga noterja dhe këtë e konfirmon ajo vetë.
Noterja Majlinda Lato: Beni, unë kam qenë gjithmonë korrekte në punën time dhe ti s’ke pasur asnjë herë vërejtje për mua…
Denoncuesi Arben Vyshka: Si korrekte?! Ka filluar procesi gjyqësor, ti s’ke qenë korrekte dhe me ato, që ke deklaruar në proces-verbal… Kontrata, që ata pretendojnë, që më ka goditur, nuk ka ekzistuar këtu, që Beni i ka falur të gjithë shtëpinë 3-katëshe. Shiko firmën, që është false edhe e jotja edhe timen. Kjo s’është firma ime, kjo s’është firma jote…ok? Vetëm këtu është firma e Aliut…E shikon? Po unë tani u dogja…, si ta hedh poshtë?
Noterja Majlinda Lato: Në rregull o Beni! Vazhdoni gjyqet! Hidhe poshtë këtë! Hidhe poshtë, po me gjyq, o Beni!
Denoncuesi Arben Vyshka: Unë në datën 24 dal nga shtëpia, e kam në Gjykatë të Lartë…, po e kanë marrë mo ato… Dëgjo bëje firmën këtu! Bëje firmën Majlinda këtu!
Noterja Majlinda Lato: Kjo është firma ime, çfarë do të të them tani?
Denoncuesi Arben Vyshka: Po si e keni futur këtë kontratë këtu?
Noterja Majlinda Lato: Nuk kam fut gjë, i keni sjellë ju…, po i keni sjellë ju …, mo Beni.
Denoncuesi Arben Vyshka: Po me këtë ma morën shtëpinë.
Noterja Majlinda Lato: S’është firma ime. Hidhe poshtë! E ka bërë Islam Vapi, more Beni.
Denoncuesi Arben Vyshka: Po ç’më duhet mua? Ti je notere. Kush e noterizon? Avokati mund të thotë, çfarë të dojë.
Noterja Majlinda Lato: O Beni! 30 vjet përpara, bjere dorën këtu, 30 vjet përpara…
Denoncuesi Arben Vyshka: Jo, nuk ta jap dorën, se ti më shkatërrove mua…/Tv Klan