Mirsad Haliti, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i ProCredit Bank Shqipëri: Ekonomia informale dhe prania e lartë e parasë cash, sfida për sektorin bankar

0
681
Intervistë me Mirsad Haliti, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i ProCredit Bank Shqipëri
Ekonomia informale dhe prania e lartë e parasë fizike janë ndër sfidat kryesore për sektorin bankar. Mirsad Haliti, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i ProCredit Bank Shqipëri, thotë se kjo ngelet ende një sfidë për mjedisin e biznesit të sektorit bankar, ashtu si një problem mbetet edhe efikasiteti jo i kënaqshëm i gjykatave dhe sistemit të drejtësisë.

Një çështje gjithmonë e më e rëndësishme, sipas tij, është siguria kibernetike dhe mbrojtja e të dhënave. Bankat duhet të investojnë në infrastrukturë të sigurt dixhitale dhe politika për të mbrojtur klientët nga kërcënime të tilla.

Z. Haliti shton se shpejtësia e ngadaltë e zhvillimit të kuadrit rregullator dhe infrastrukturës ligjore krahasuar me inovacionin shumë më dinamik të teknologjisë, paraqet po ashtu një sfidë dhe kosto oportune për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit bankar, në ofrimin e shërbimeve sa më të përshtatshme për klientët.

Si e vlerësoni ecurinë e aktivitetit të ProCredit Bank Shqipëri gjatë vitit të kaluar? Cilat ishin zhvillimet më të rëndësishme për sektorin bankar në vitin 2023?

Ecuria e aktivitetit të bankës sonë vitin e kaluar ka qenë shumë e kënaqshme, duke shënuar arritje dhe performancë pozitive në të gjitha fushat.

Në aspekt të aseteve të përgjithshme, banka ka shënuar rritje prej 19%, ndërsa në bazën e depozitave, një rritje prej 31%, duke dëshmuar kështu besimin e lartë të klientëve në Bankën ProCredit, si banka e vetme gjermane në vendin tonë.

Rritje kemi shënuar edhe në zhvillimin e portofolit të kredisë, duke mundësuar mbështetjen e projekteve të klientëve tanë dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm të bizneseve të tyre, si dhe plotësimin e nevojave dhe investimeve për klientët tanë individë.

Fokus të veçantë kemi vazhduar t’i kushtojmë mbështetjes së projekteve të gjelbra, duke konsoliduar edhe më tej pozicionin tonë si lider në trajtimin, këshillimin dhe përkrahjen e këtyre projekteve.

Pjesën dërmuese të tyre e zënë projektet e lidhura me energjinë e rinovueshme dhe eficiencën e energjisë, duke zënë një pjesë prej mbi 20% në portofolin e përgjithshëm të kredisë.

Vitin e kaluar kemi sjellë oferta preferenciale për mbështetjen e grave në biznes, duke synuar avancimin e pozitës shoqërore të tyre.

Në fushën e kredisë, cilësia e portofolit vazhdon të jetë shumë më e mirë se mesatarja e tregut dhe ka shënuar përmirësime edhe gjatë vitit të kaluar, duke shënuar ulje të kredive joperformuese si në terma relativë, ashtu edhe në terma absolutë.

Një tjetër zhvillim pozitiv vitin e kaluar ishte zgjerimi i bazës së klientëve, sidomos të klientëve individë.

Kjo ka ardhur edhe si rezultat i zhvillimit të strategjisë sonë drejt shërbimit të gjithëmbarshëm të klientëve individë, kryesisht nëpërmjet zgjidhjeve të avancuara dixhitale dhe zgjerimit të gamës së shërbimeve tona për këtë kategori klientësh.

Vitin e kaluar vazhduam të investojmë fuqishëm në trajnimet e personelit dhe zhvillimin e tyre, me qëllim avancimin në karrierë, si dhe ofrimit të shërbimeve sa më cilësore për klientët e bankës.

Kemi pasur edhe rritje të konsiderueshme të numrit të personelit dhe të njëjtin trend do ta vazhdojmë edhe këtë vit, duke mundësuar zgjerimin e mëtejshëm të aktivitetit dhe ndikimit tonë në vend.

Gjatë vitit 2023, sektori bankar në Shqipëri ka demonstruar qëndrueshmëri në kushte ekonomike sfiduese. Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë masa të ndryshme për të mbështetur shëndetin e ekonomisë në përgjithësi, por edhe të sektorit bankar në veçanti.

Zhvillime pozitive kemi pasur edhe në përmirësimin e infrastrukturës së pagesave, ndihmuar edhe nga përmirësimi i kuadrit rregullator në fushën e sistemeve të pagesave.

Për të dytin vit radhazi, sistemi AIPS Euro po vijon të japë frytet e tij në sistemin bankar dhe në ekonominë shqiptare.

Është shënuar progres edhe në rritjen e pagesave dixhitale në vend dhe atyre me karta bankare, gjë që ndikon pozitivisht në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit bankar.

Largimi i Shqipërisë nga lista gri e FATF (Financial Action Task Force) ishte një tjetër zhvillim i mirëpritur nga sektori bankar.

Pavarësisht sfidave të ndryshme si inflacioni, zhvlerësimi i valutës së Euros, etj., sektori bankar në Shqipëri vazhdon të mbetet i qëndrueshëm, likuid dhe i mirëkapitalizuar.

Pas pandemisë, po vërehet një rritje e ndjeshme e rolit të turizmit dhe sektorit të pasurive të paluajtshme në ekonomi. Si po ndikojnë këto zhvillime në sektorin bankar?

Shqipëria ka bërë progres në vitet e fundit, sidomos në zhvillimin e sektorëve të turizmit dhe të ndërtimit. Rritja e turizmit dhe sektorit të pasurive të paluajtshme po sjell potencial të madh për sektorin bankar, për të zhvilluar dhe për të ofruar produkte dhe shërbime të reja, për të përballuar nevojat dhe kërkesat e këtyre sektorëve në rritje.

Ekonomia po udhëhiqet nga këta sektorë dhe kontribuon në një kërkesë më të madhe për kreditim, si për investime në infrastrukturë turistike, ndërtim të hoteleve dhe restoranteve, apo zhvillim të pronave të paluajtshme për qëllime turistike.

Me rritjen e turizmit dhe pasurive të paluajtshme është rritur kërkesa e kredisë, si dhe depozitat e individëve dhe bizneseve të lidhura me këta sektorë.

Përveç këtyre që u thanë më lart, zhvillimi i vrullshëm i këtyre dy sektorëve, sidomos turizmi, ka sjellë kontribut më të madh edhe në zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë së vendit.

Kjo rriti të ardhurat dhe mundësitë jo vetëm të aktorëve në këto tregje por edhe në sektorë të tjerë të lidhur me ta. Sidoqoftë, sektori bankar duhet të jetë i kujdesshëm në luhatjen e mundshme të çmimeve të pasurive të paluajtshme.

Cilat mendoni se do të jenë sfidat kryesore për sektorin bankar në vitin 2024?

Sfidat kryesore, të cilat nuk janë veçanti e vitit 2024, por vazhdimësi edhe nga e kaluara, janë të lidhura me ekonominë joformale dhe praninë e lartë të parasë së gatshme në dorë (cash).

Efikasiteti jo i kënaqshëm i gjykatave dhe sistemit të drejtësisë vazhdon të paraqesë një sfidë tjetër për bankat.

Siguria kibernetike dhe mbrojtja e të dhënave, ku me rritjen e aktivitetit dixhital në sektorin bankar, siguria e të dhënave dhe mbrojtja kundër kërcënimeve të sigurisë bëhen gjithnjë e më të rëndësishme.

Bankat duhet të investojnë në infrastrukturë të sigurt dixhitale dhe politika për të mbrojtur klientët nga kërcënime të tilla dhe për ne kjo ka vëmendje të veçantë.

Përveç këtyre më lart, shpejtësia e ngadaltë e zhvillimit të kuadrit rregullator dhe infrastrukturës ligjore konform inovacionit dinamik të teknologjisë, paraqet po ashtu një sfidë dhe kosto oportune për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit bankar, në ofrimin e shërbimeve sa më të përshtatshme dhe të lehta për klientelën.