BallinaKryesorePaketa që ekzekutoi AMA-n dhe do ekzekutojë portalet

Paketa që ekzekutoi AMA-n dhe do ekzekutojë portalet

spot_img
spot_img

Nga Luçiano Boçi

Në mesin e diskutimeve për procesin fals e të shkalafitur deri në vjedhje të vetvetes të 30 qershorit, Rama me strategjinë e tij të krijimit të vatrave të tërheqjes së vëmendjes, riktheu në debatin mediatik e politik paketën antishpifje, ose më saktë paketën antionline. E lënë për një kohë të gjatë në qetësi pas reagimeve të organizatave të ndryshme që merren me lirinë e medias e organizmave europianë, u duk sikur paketa nuk do të rikthehej. Vonesa ishte thjesht taktike. Por dinamika politike dhe mentaliteti regjim i Ramës e bën atë krejt të pashmangshme. Pushtetet absolute gjithnjë kanë një instinkt të zhvilluar lufte ndaj medias. Është momenti kur ata kërkojnë konfirmim nëpërmjet dhunës së gjithanshme ndaj çdo lirie, përfshirë atë ndaj lirisë së medias, siç dhe po ndodh. Paketa në fjalë shënjestron median alternative online, e cila për shkak të teknologjisë, po rrit dominancën e saj me një shpejtësi marramendëse duke konkurruar fort dhe mediat tradicionale.

Fryma kritike e kësaj medie, në kushtet e kapjes dhe blerjes që Rama i ka bërë medias vizive në tërësi, ka mbajtur në një pjesë të madhe gjallë opozitarizmin e opinioneve, të analizave, fakteve dhe denoncimeve pa dorashka të shumë aferave kriminale e korruptive ndaj një qeverisje që noton në paligjshmëri, në bashkëpunim perfid kriminal, në korrupsion dhe paaftësi totale. Një pjesë e spikatur e tyre janë sot “hala në sy” e Ramës dhe ai është gati të bëjë gjithçka për t’i mbyllur, trysnuar, devijuar ose mbajtur në kontroll. Pavarësisht se është munduar ta sheqerosë paketën me justifikime banale, ajo në tërësinë e saj është antikushtetuese, antidemokratike dhe antimedia. Ky qëllim i Ramës daton që në 2016-n, kohë kur ai nëpërmjet ish-Ministrisë së Inovacionit, propozoi ndryshimet në ligjin “Për tregtinë elektronike”, të cilat synonin vënien nën kontroll të medias online. Tërheqja u bë nga kundërshtimet e forta politike të opozitës dhe të aktorëve mediatikë. Tërheqja nuk sfumoi dëshirën e Ramës për të goditur portalet kritikuese ndaj tij. Sulmi që ai inicioi me faqen “Kryeministria.com”, duke vënë në lëvizje jeniçerët e AKEP-it dhe të Komisionit të Medias, u finalizua me eliminimin e kësaj faqeje, me argumente që nuk kishin asnjë justifikim ligjor dhe as moral. Por të kërkosh moral nga një i pamoral është kulmi i absurdit. Duke parë këtë vakum ligjor të mundshëm për të sulmuar, Rama urdhëroi hartimin e një pakete, që do t’i mundësonte atij përfundimisht ngritjen e një baze nga ku operacionet e tij ndëshkimore do të ishin të suksesshme në një treg i cili në fakt vetë rregullohet.

Thelbi i paketës është shndërrimi i AMAs dhe Këshillit të ankesave në një polici mediatike, jashtë çdo profili të paracaktuar të saj dhe të natyrës që ajo ka në të gjitha legjislacionet evropiane, që rregullojnë veprimtarinë e këtij autoriteti. Kapja dhe kontrolli qeveritar i AMA-s është një fakt që nuk ka shumë nevojë për diskutim, pasi ai u demonstrua në mënyrë të thekshme në mënyrën se si ai qerasi operatorët afër qeverisë me rrjete frekuencore dhe mbështetje financiare absurde. Ishte pikërisht përbërja e disfavorshme e Bordit dhe përbërja e Këshillit të Ankesave që vonoi taktikisht miratimin e paketës. Pasi kapi Këshillin e Ankesave në fazën e rizgjedhjes së anëtarëve me mandat të ri me një predominancë 2 me 1, Rama iu sul anëtarëve të AMA-s për ta dominuar AMA-n, sepse shumica e cilësuar, e cila me gjasa sipas përcaktimeve në paketë do të marrë vendimet e mbylljes e të gjobave ndaj portaleve sikur të ishte gjykatë, ishte e pamundur për shkak të përbërjes, por dhe qëndresës së anëtarëve të propozuar nga opozita në shumë raste vendimmarrjesh delikate. Viktima e parë e kësaj fushate sulmi ishte përfaqësuesi i propozuar nga LSI, Zylyftar Bregu, të cilit i sajuan me mjeshtri një konflikt interesi dhe e shkarkuan sa hap e mbyll sytë, duke e zëvendësuar me anë të komisionit-kobure të medias, me një person krejt të atashuar majtas. Por nuk u mjaftua me kaq, sepse përsëri opozita kishte në atë bord 3 përfaqësues nga 6, bashkë me kryetarin 7: Nezën, Mustën e Gjekmarkajn. Por kaq nuk mjaftonte. Me Policinë e komanduar dhe drejtësinë e kapur, u vu në përgjim e gjithë trupa e opozitës e bordit në një gjueti shtrigash të pashembullt. Arsyeja u sajua dhe gjithçka u shit në publik si aksion i madh kundër një grupi kriminal, ku ndër të tjera, për habinë e të gjithëve kishte dalë në përgjime dhe një anëtare e AMA-s, Suela Musta, e cila u arrestua me akuzë false dhe të stimuluar nga fillimi deri në fund. Një skenar i denjë hollivudian. Se çfarë u bë me grupin kriminal, sot asnjë nuk e di, por për Suelën të gjithë e dinë që ka nisur procedura e zëvendësimit të saj, sepse Ramës i duhet për paketën-qen lufte ndaj medias online të ketë shumicën e Bordit. Sapo realizoi këtë skenar, Gjonaj recitoi miratimin e paketës më të turpshme në historinë e medias shqiptare.

Pasi ekzekutoi drejtimin e AMA-s, Rama me një gur kërkon të vrasë dy zogj: të shkëpusë vëmendjen nga megavjedhja live e votave të procesit nul të 30 qershorit dhe të ndërtojë bazën e sulmit ndaj armiqve të tij mediatikë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular