Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të lehtësojë edhe më shumë praktikën për njohjen e viteve të punës. Janë jo të paktë ata qytetarë, të cilët dalin në pension dhe hasen me vështirësi për njohjen e periudhave të caktuara kontributive, kryesisht gjatë periudhës komuniste, për shkak të mungesës së dokumentacionit apo regjistrave. Për këtë arsye, mësohet se me anë të disa ndryshimeve ligjore që janë duke u hartuar, do të bëhet e mundur njohja automatikisht e këtyre periudhave.
Aktualisht, një praktikë e tillë mundësohet për 72 ish-kooperativa bujqësore për të cilat nuk disponohet dokumentacioni i vjetërsisë në punë. Konkretisht, lista e parë përfshin 18 ish-kooperativat bujqësore për të cilat konstatohet i munguar i gjithë dokumentacioni i vjetërsisë në punë. Në listën e dytë janë 15 ish-kooperativat bujqësore për të cilat konstatohet i munguar i gjithë dokumentacioni për sektorë apo fshatra të veçanta, në përbërje të saj.
Ndërsa në tabelën e tretë bëjnë pjesë 39 ish-kooperativa të fshatrave apo sektorëve për të cilët disponohen vetëm 1 apo 2 regjistra. Kështu, të gjithë që kanë punuar në këto ish-kooperativa bujqësore por që s’kanë asnjë dokument për ta provuar këtë nuk e kanë më të nevojshme të përplasen dyerve të gjykatës për të kërkuar të drejtën që iu takon. Çdo vit pune llogaritet për efekt pensioni.
Pragu është mosha 15 vjeç, pasi gjatë kohës së diktaturës, puna niste menjëherë pas përfundimit të arsimit bazë. Konkretisht, nëse dikush ka 10 vite pune në ish-kooperativat bujqësore, por si periudhë pune për shkak të mungesës së dokumentacionit i njihen 7, atëherë tri vitet e mbetura do të merren të mirëqena.
Vlen të theksohet po ashtu, se njohja e periudhës së sigurimit për efekt përfitimi nga sigurimet shoqërore në varësi të periudhës së deklaruar nga vetë personat kërkues bëhet respektivisht me ditë, muaj apo vite të plota pune, vetëm kur vërtetohet se gjatë periudhës së deklaruar përfituesi nuk ka qenë duke vuajtur dënimin me heqje lirie; nuk ka qenë përfitues i pensionit të invaliditetit të plotë dhe së fundmi ka qenë banor i territorit në të cilin ka shtrirë aktivitetin e saj ish-kooperativa bujqësore.