Nga Marinela Ziu
Që godina e Teatrit Kombëtar ka nevojë për rikonstruksion urgjent, kjo nuk ka asnjë diskutim, por justifikimi se “nuk ka lekë” për rikonstruksionin e saj dhe prandaj i jepet privatit, është thjesht dhe vetëm një MASHTRIM, në funksion të VJEDHJES së pasurive publike dhe dhënies së tyre oligarkëve.
Sipas ekspertëve, rikonstruksioni total i godinës së Teatrit do të kushtonte 10 milionë euro.
Sa godina do ishin rikonstruktuar nqs taksat tona do të ishin destinuar në shërbime për qytetarët dhe jo në qoka për oligarkët?!
4 fakte (jo shteruese):
• 100 godina teatri do të ndërtoheshin nqs prioritet do të ishin qytetarët dhe jo lukset e administratës dhe fasadës së Rilindjes.
Për periudhën shtator 2013 deri sot, shpenzimet e luksit pra rikonstruksione zyrash e godinash, mobilime luksoze zyrash, karburant, bileta udhëtimesh, blerje/qira automjetesh, pajisje etj, kapin shifrën 1 miliardë euro, me të cilën do të ndërtoheshin 100 godina teatri.
• 27 godina teatri do të ndërtoheshin nqs koncesioni i rrugës Milot – Balldre nuk do ishte një aferë gjigande korruptive.
Vlera reale sipas standardeve të BE për rrugën Milot-Balldre është 20,4 milionë euro (1,2 milionë euro/kilometri), ndërkohë që po ndërtohet për 296 milionë euro (17,4 milionë euro/kilometri), përbën një vjedhje prej të paktën 275,6 milion euro pra 27 godina teatri.
• 14 godina teatri do të ndërtoheshin nga fatura 140 milion euro e vendimeve të Gjykatave për largime të padrejta nga administrata.
Nqs këto 6 vjet, nuk do të largonin nga administrata të zotët, të mençurit, të aftët, madje edhe ata që mendojnë ndryshe por që përmbushin të gjitha kriteret e vendit të punës, nuk do të kishim sot një faturë 140 milion euro (faturë e cila vazhdon ritet) nga vendimet e Gjykatave për largime të padrejta nga administrata, me vlerën e së cilës do të rikonstruktoheshin plot 14 godina teatri.
• 15 godina teatri do të ndërtoheshin, mjafton që të paktën në tre vitet e fundit, në vetëm 30% të tenderave, të zbatohej vetëm ligji.
Nqs do të zbatohej Ligji i Prokurimit Publik dhe do të kualifikohej fitues oferta më e ulët, në vetëm 30 % të tenderave, në 3 vitet e fundit, do t’i kursehej buxhetit të shtetit plot 150 milion euro, me të cilat mund të ndërtoheshin 15 godina teatri.
Vetëm në 4 aferat e mësipërme (të cilat janë pafund), mund të ndërtoheshin plot 156 godina teatri…
Lekë ka, por ato janë vetëm për oligarkët dhe kriminelët më të cilët kanë erdhur dhe mbajnë pushtetin…
#Rezistencë
#Përballje
#MbroTeatrinKombëtar