Kontrata me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit është një kontratë besimi, një angazhim pa kushte i opozitës për të mbështetur aksionin qytetar.
Ky është vetëm fillimi. Kontrata të tilla do të nënshkruhen me të gjithë grupet e interesit për mbrojtjen e interesit publik.
Ky regjimi ka vetëm një projekt: grabitjen, vjedhjen, pastrimin e parave të pista të krimit. Këtë projekt ka kudo, nga Teatri, tek Unaza e Re dhe çdo koncesion.
Ne jemi të vendosur t’i japim fund këtij modeli dhe zotohemi të gjurmojmë çdo qindarkë, çdo pasuri të tjetërsuar, ta konfiskojmë dhe t’ia kthejmë të zotit.
Që votuesi shqiptar ta ketë fuqinë e plotë, angazhimi ynë kryesor politik është reforma kushtetuese dhe kthimi i legjitimitetit tek votuesit shqiptar:
Pikat kryesore janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, reforma elektorale dhe kushtetuese, sundimi ishtetit të së drejtës, demokracisë përfaqësues, ndarja dhe kontrolli i pushteteve.
Kjo reformë e thellë do të mundësojë dhënien fund të tiranisë së krimit, të hajdutërisë, të oligarkisë dhe ndërtimin e Shqipërisë si gjithë Evropa.
Na takon ne që të bëjmë një betejë të fundit për ta mbyllur derën e tranzicionit dhe për të hapur derën e Shqipërisë Evropiane.
Beteja vazhdon. Më shumë sakrifica priten nga të gjithë, duke filluar nga unë i pari. Referendumi i 30 qershorit tregoi se drita në fund të tunelit po shkëlqen fort.
Le ta vazhdojmë këtë betejë të bashkuar. Fuqia e bashkimit do ta mposhtë të keqen dhe do të hapë rrugën e Shqipërisë për të gjithë shqiptarët.
FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA,
NË FIRMOSJEN E KONTRATËS ME ALEANCËN PËR MBROJTJEN E TEATRIT
Të nderuar artistë, anëtarë të aleancës për Mbrojtjen e Teatrit,
Të dashur qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë që keni mbushur këtë sallë sot si asnjëherë me entuziazëm dhe bashkimin qytetar.
Për mua është një emocion i rrallë të jem në këtë prani kaq të ndriçuar dhe të elitës së shpirtit dhe të mendjes së kombit dhe që, së bashku, të ndërmarrim këtë akt të besimit të ndërsjellë, këtë akt përkushtimi dhe angazhimi pa kushte të Partisë Demokratike dhe të aleatëve tanë, Opozitës së Bashkuar për të mbështetur me të gjitha format, ligjore, politike, diplomatike dhe të aksionit qytetar, për të mbështetur të gjitha vendimet dhe veprimet e mëtejshmë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, sikundër i kemi mbështetur deri më sot.
Të nderuar bashkëqytetarë,
Nënshkrimi i kësaj kontrate besimi midis opozitës së sotme me atributet që, nesër, qytetarët shqiptarë do t’i japin me votën e lirë dhe të ndershme, është akti i parë që ne ndërmarrim për mbrojtjen e interesit publik. Është akti i parë që ne ndërmarrim për futjen e vendit në shinat e Kushtetutës dhe të ligjit, drejtësisë së barabartë për të gjithë, të ndëshkimit të politikanëve të inkriminuar dhe të korruptuar, pra, për dhënien fund pandëshkueshmërisë së krimit dhe korrupsionit, të garantimit të përfaqësimit të qytetarëve në parlament dhe në qeverisje të vendit dhe të politikave të zhvillimit ekonomik, të punësimit dhe të luftës kundër varfërisë.
Është domethënëse që këtë akt të parë, ne kemi zgjedhur, ashtu siç e ka zgjedhur edhe momenti, ta bëjmë me një grup të shoqërisë sonë, të cilit fjala grup interesi i rri ngushtë; me një grup, i cili me sakrificën prej pothuajse një viti e gjysëm, me këmbënguljen për të mbrojtur jo një interes privat, por interesin e të gjithë qytetarëve, interesin e kombit, janë kthyer në burim frymëzimi, force dhe motivimi për opozitën shqiptare për Partinë Demokratike, për mua personalisht dhe unë e di, për qindra, mijëra qytetarë që ndodhen sot këtu dhe që kanë qenë gjithë këto muaj në mbështetje të kësaj kauze të drejtë.
Dua të falënderoj për besimin e dhënë, sikundër t’ju siguroj se besimin e marrë e kanë në mirëbesim, në qartësi dhe vendosmëri të plotë të Partisë Demokratike dhe të aleatëve tanë.
Një falënderim të veçantë dua t’i përcjell edhe profesor Aurel Plasarit, i cili ishte i pari që, publikisht, hodhi idenë për këtë kontratë midis Partisë Demokratike dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Sikundër, në mbrojtje të interesit të qindra qytetarëve, drejtpërdrejtë në takimet që kam zhvilluar këto javë, por edhe përmes mesazheve, dua t’ju them: Po, ky është vetëm fillimi. Kontrata të tilla do të nënshkruhen me të gjithë grupet e interesit, do të nënshkruhen me sipërmarrjen, me biznesin e vogël, me përfaqësuesit e fermerëve, të pronarëve, të të përndjekurve, me pedagogët e universiteteve dhe studentët me të cilët e kemi të qartë dhe të prerë marrëveshjen për anullimin që ditën e parë të ligjit korruptiv të arsimit të lartë, ndërkohë që puna ka nisur të mos ketë asnjë ditë vakum dhe një ligj i standardeve europiane po definohet brenda kohës më të shkurtër, brenda muajit të parë të qeverisjes së Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar. Po kështu, me grupet e tjera të interesit, me mjekët, me infermierët, me eksportuesit, me shoqatat që përfaqësojnë degë të ndryshme të ekonomisë.
Koha për fjalë me të vërtetë ka mbaruar. 30 qershori është dita e një zgjimi të madh kombëtar. Refuzimi popullor dhe qytetar i këtij regjimi, i cili, njësoj si tek Teatri Kombëtar, ka vetëm një projekt: grabitjen, vjedhjen, pastrimin e parave të pista të krimit, këtë projekt ka kudo. Këtë projekt kishte tek Unaza e Re, këtë projekt ka tek stadiumi, këtë projekt ka tek koncesioni më i fundit Milot – Balldre dhe që nga koncesionet e para të check up.
I vetmi projekt i regjimit është vjedhja dhe grabitja e pasurive të shqiptarëve.
Ne jemi të vendosur t’i japim fund këtij modeli.
Ashtu siç zotohemi në këtë kontratë të gjurmojmë çdo qindarkë, çdo pasuri të tjetërsuar të qytetarëve shqiptarë dhe publikut shqiptar ta konfiskojmë dhe t’ia kthejmë të zotit, që është populli, janë qytetarët, janë taksapaguesit dhe pronarët legjitimë të pasurive tona publike.
Por e dimë që kjo nuk mjafton. Mesazhi i 30 qershorit është mesazh për një ndryshim të vërtetë, të thellë dhe të qëndrueshëm.
Për këtë arsye kontratat tona me të gjithë grupet interesit do të jenë ndërmarrja më transparente, më konkrete dhe e drejtpërdrejtë, të cilin e lidhim me vetëdijen e plotë, duke mirëpritur atë që tha Edmond Budina, që shkelja e kësaj kontrate na ngarkon me përgjegjësi direkte para publikut, para qytetarëve dhe para votuesve shqiptarë.
Natyrisht, që votuesi shqiptar ta ketë fuqinë e plotë të kësaj kontrate nesër, angazhimi ynë kryesor politik është reforma e thellë kushtetuese dhe kthimi i legjitimitetit tek votuesit shqiptar:
• Zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
• Një reformë e thellë elektorale dhe kushtetuese.
• Kthimi i një republike, bazuar mbi vlera evropiane të sundimit të shtetit të së drejtës.
• Të demokracisë përfaqësuese të qytetarëve shqiptarë.
• Të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve.
E mirëpres faktin që në këtë marrëveshje Aleanca për Teatrin, që përfaqëson një nga grupimet më të fuqishme të mendimit intelektual ka insistuar që kjo marrëveshje të mos mbetet në kuadrin vetëm të mbrojtjes së Teatrit apo të reformës në sektorin e kulturës dhe të artit, ku angazhimi ynë është i qartë, si në kuptimin cilësor, edhe në kuptimin sasior të resurseve publike, por mbi të gjitha mirëpres angazhimin e intelektualëve, pikërisht për këtë reformë të thellë, që do të mundësojë shumë shpejt dhënien fund të tiranisë së krimit, të hajdutërisë, të babëzisë dhe të oligarkisë,dhe ndërtimin e një vendi, ashtu siç e dëshirojmë, ashtu siç e meritojmë, të Shqipërisë si gjithë Evropa.
Asnjë arritje e madhe në asnjë shoqëri nuk ka kaluar pa sakrifica të mëdha. Kombeve të përparuara të Perëndimit u janë dashur shekuj betejash, shpeshherë me kosto të mëdha për të arritur konsolidimin e demokracive që ne duam t’i kemi për model. Edhe ne po zhvillojmë betejat tona. Tash 30 vjet, natyrisht do të kishim dashur që betejat e tranzicionit të kishin përfunduar, por, me sa duket, na takon ne që të bëjmë një betejë të fundit për ta mbyllur derën e tranzicionit dhe për të hapur derën e Shqipërisë Evropiane.
Për këtë dua t’u shpreh mirënjohjen e saj më të thellë të gjithë qytetarëve që, prej 6 muajsh, janë në një betejë të vazhdueshme me të keqen, janë në një betejë të vazhdueshme për ta mundur të keqen dhe për ta bërë këtë jo me një të keqe tjetër, por me të mirën, me shpresën, me besimin tek e nesërmja, që buron nga identiteti ynë kulturor, kombëtar dhe qytetar si evropianë.
Ndaj, i vetëdijshëm se kjo betejë ka kërkuar dhe ka pasur sakrifica të shumta, dua të jem fare i sinqertë me ju se beteja vazhdon. Më shumë sakrifica priten nga të gjithë ne, duke filluar nga unë i pari. Por, për herë të parë, siç e tregoi edhe referendumi i 30 qershorit, drita në fund të tunelit po shkëlqen fort.
Ndaj, le ta vazhdojmë këtë betejë të bashkuar, le ta vazhdojmë këtë betejë të frymëzuar nga qëndresa individuale, njerëzore apo të grupuara, si kjo e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, e banorëve të Unazës së Re, e kuksianëve dhe e shumë grupeve të tjera, të cilët me kurajon e tyre na treguan që jo vetëm bashkimi bën fuqinë, por fuqia e bashkimit do ta mposhtë të keqen dhe do të hapë rrugën e Shqipërisë për të gjithë shqiptarët.
Mirënjohje dhe falenderime.
Pa forcën tuaj, pa qëndresën tuaj, e gjithë kjo do të ishte e pamundur. Ju jeni frymëzimi ynë dhe detyrimi i madh i Partisë Demokratike, i aleatëve tanë, i Opozitës së Bashkuar, detyrim që do të fillojmë ta shlyejmë që ditën e parë që besimi juaj me votë, të na japë përgjegjësinë e qeverisjes së vendit.