Ish-oficeri i Antidrogës, Dritan Zagani, personi i cili ka denoncuar ish-ministrin e tij Saimir Tahiri dhe emra të tjerë zyrtarësh të lartë të Policisë së Shtetit për trafik droge dhe që ndodhet në azil politik në një prej vendeve të BE-së, nuk mund të rrinte pa komentuar vendimin e djeshëm të Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Në një intervistë për Ora News, Zagani shprehet se nuk është ndërprerë në asnjë moment prodhimi i kanabisit.
Sipas tij, tregtimi i lëndës narkotike është më i kontrolluar dhe nuk bëhet si në kohën e Saimir Tahirit, kur kilogrami i kanabisit vlente sa një kilogram jonxhe.
“Nuk është prerë në asnjë mënyrë prodhimi i kanabisit. Informacionet që kam flasin për tunele të mëdha të kultivimit të marijuanës me llamba.Këtë fenoneme i kam verifikuar vetë që kur isha atje. Kultivimi është koncentruar në ato duar që punojnë për pushtetin. Ështe zvogëluar prodhimi për popullin e gjerë por jo për ata që trafikojnë. Kultivimi është në mënyrë të organizuar.
Ka ambiente që policia nuk guxon ti shohë shtrembër. Ka ambiente ku kultivimi bëhet i mbyllur dhe me sistem dritash dhe ky prodhim ka shumë fitim. Ky është trafiku i vërtetë dhe jo fshatarët e Velçes në Vlorë. Tani është i kamufluar sa ka kërkesë tregu nga trafikantët shqiptar aq ka dhe prodhim por nuk është si në kohën e Saimirit kur vajti kilja e hashashit sa kilja e jonxhes tashmë është e kontrolluar”, është shprehur Zagani.
Një ditë më parë, në një intervistë për një televizion tjetër, ish oficeri i Policisë do të shprehej ndër të tjera se, “unë jam provë e gjallë e kësaj akuze, edhe pse deri më sot askush nuk më ka marrë në pyetje. Akuza nuk bëhet fjalë, por si po formulohet e mbrohet kjo akuzë kjo është temë tjetër. Nuk po përdoren provat për ta zbërthyer si duhet”.