Senati amerikan do të vendosë sot nëse Yuri Kim do të jetë ambasadorja e re e SHBA në Tiranë. Lajmi për zhvillimin e seancës dëgjimore me Yuri Kim që do të jetë në 14:30 me orën tonë është publikuar në faqen zyrtare të Senatit.
Që prej majit të 2018-ës, Ambasada e SHBA në Tiranë nuk ka një drejtues, pas largimit të ambasadorit Donald Lu, ndërkohë që aktualisht Ambasada Amerikane në Shqipëri drejtohet nga zv/ ambasadorja, e ngarkura me punë Leyla Moses Ones.
Zonja Kim është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore. Më herët, ajo ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.
Zonja Kim ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe Ankara. Ajo mban gradën B.A. nga Universiteti i Pensilvanisë dhe Master of Philosophy nga Universiteti i Kembrixhit. Ajo flet gjuhët koreane, kineze, japoneze dhe turke. Për të ardhur përfundimisht si ambasadore në Shqipëri, ajo duhet të konfirmohet nga senati.