Samiti i Ohrit dhe plani i dyshes Rama-Vuçiç për të ashtuquajturin “Schengeni Ballkanik” është tema e ditës në Tiranë dhe Prishtinë.
Përveç Kosovës që e refuzoi këtë takim, reagime të forta ka edhe nga politika në Shqipëri.
Ish kryeministri Sali Berisha poston një foto në Facebook për të treguar atë që sipas tij synon kjo lëvizje.
“Jam në mision”, shkruan Berisha mbi foton ku Rama shfaqet si çetnik serb, për të ilustruar idenë e tij se ky është një plan për ringjalljen e Jugosllavisë së Re.
Kryeministri Edi Rama u ndal gjatë konferencës për shtyp me liderët e Serbisë, Maqedonisë dhe Bosnjës tek kundërshtarët e mini-Shengenit ballkanik, duke theksuar se Evropa është një klub interesash dhe se Ballkani nuk duhet të presë zgjidhjen e problemeve të saj por të krijojë lehtësira në lëvizjen brenda rajonit.
Deklarata e tij është lexuar nga analistë dhe politikanë në Shqipëri dhe Kosovë si justifikim i Ramës për dështimin me hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.