Dy vëllezër, shqiptarë të Kosovës janë mes viktimave të tërmetit të sotëm në Durrës. Emrat dhe fotot e tyre i ka publikuar ministri i Jashtëm në largim, Behgjet Pacolli.
Por Gazeta Ekspress ka shkruar edhe historinë tragjike që ka ndjekur familjen Abazi dhe jep detaje edhe nga jeta e dy te rinjve qe sot mbyllen syte pergjithmone ne rrenojat e nje hoteli ne Durres.
SHKRIMI I PLOTE
Ishin nisur dje në mëngjes për në Durrës. Aty do të shkonin për disa ditë me qëllimin që t’i kryenin disa punë. Por, dy vëllezërit nga fshati Livoç i komunës së Gjilanit patën fatin e keq dhe mbetën nën gërmadhat e hotelit në Durrës ku po qëndronin pas tërmetit të tmerrshëm i cili e goditi mbrëmë Shqipërinë duke e gjetur kështu vdekjen. Familja Abazi për vite u përcoll nga histori tragjike. Asaj vite më parë iu shua edhe një djalë. Express iu sjellë rrëfimin e dhimbshëm nga Livoçi i Gjilanit.
Mbijetesën po e siguronin nga punët që kohë pas kohe po i kryenin si mekanikë në Shqipëri. Me këto punë, dy vëllezërit tashmë të ndjerë Shemsedin e Isa Abazi, njëri 32 e tjetri 29 vjeçar po merreshin një kohë të gjatë.
Por e hëna doli të jetë fatale për këta dy vëllezër. Ata njëjtë sikur mijëra shqiptarë të tjerë u goditën mbrëmë rreth orës 04:00 pas mesnate nga një tërmet me magnitudë prej 6.4 shkallë të rihterit duke mbetur kështu nën gërmadhat e hotelit ku po qëndronin.
Për fatin e tyre nuk u ditë asgjë për më shumë se 15 orë. I pari pa shenja jete u gjet Isai, 29-vjeçar. Më pas, i vdekur u gjet edhe vëllai i tij, Shemsedini 32-vjeçar.
Gazeta Express, sot ka qëndruar në shtëpinë e këtyre dy vëllezërve në fshatin Livoç të Gjilanit. Ata janë të shokuar nga e gjithë kjo ngjarje e rëndë.
“Nuk po duam të besojmë se ata janë djemtë tanë. Kjo nuk është e mundur. Thjeshtë nuk mund që të jenë ata”, flasin nën lot familjarët e dy vëllëzërve tashmë të ndjerë.
Ata tregojnë se Shemsedini e Isai, kishin shkuar për punë në Durrës. Këta të dy kanë lënë pas edhe fëmijë, njëri katër tjetri dy.
Familjet e të ndjerëve jetonin në kushte të rënda sociale.
Por kjo familje para shtatë viteve është përballur me një tragjedi tjetër. Djali i tyre ishte therë me thikë në një pishinë ku nga plagët kishte ndërruar jetë. Tash në familjen Abazi ka mbetur vetëm një djalë i cili do të përkujdeset për të gjithë anëtarët e tjerë.