Katër biznesmenë, ndër ta një grua, kanë përfunduar në burg për krijimin e skemave mashtruese lidhur me TVSH dhe fshehjen e të ardhurave.
Policia e Shtetit ka dhënë vetëm inicialet e 4 personave nga Tirana, ndaj të cilëve u dha masa e sigurisë “Arrest me burg”. A. R., 46 vjeç, A. A., 61 vjeç, Dh. B., 48 vjeçe, dhe A. I., 41 vjeç.
Gjithçka është kryer në kuadrin e operacionit të koduar “Informaliteti 2”, zhvilluar nga “Krimi Ekonomik dhe Financiar” me Hetimin Tatimor.
Policia tha se ndërkohë ka shpallur në kërkim 4 të tjerë.
Sipas njoftimit: “Në vijim të planin të posaçëm të masave “Për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore”, Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Hetimin Tatimor finalizuan operacionin policor të koduar “Informaliteti 2”, në kuadër të të cilit u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasit: A. R., 46 vjeç, A. A., 61 vjeç, Dh. B., 48 vjeçe, dhe A. I., 41 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu në kuadër të këtij operacioni janë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas të tjerë, ku për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, në ngarkim të shtetasve të mësipërm, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, si dhe “Fshehje e të ardhurave” .