Viti i ri ka nisur sërish me lëkundje të tokës në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të rajonit si në Bosnje apo Dubrovnik. Tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri vrau 51 persona dhe gazeta e njohur amerikane, ‘New York Times’ ka publikuar një reportazh të gjatë, ku theksohet se nisur nga kjo përvojë në Shqipëri, rajoni ynë nuk është gati për atë që njihet si Tërmeti i Madh.
“Akoma i gjakosur, me dorën e fashuar me një garzë të pistë, Xhafer Ahmetaj sheh malin e rrënojave, ku u varrosën miqtë e tij pas një goditje të tërmetit. Vetëm një djalë adoleshent u nxor i gjallë. Tetë anëtarët e tjerë të familjes Lala, përfshi dy fëmijë, u vranë në tërmetin me madhësi 6.4 në nëntor. Ahmetaj, 79 vjeç, ish-oficer ushtarak, tund kokën. Natyra, në formën e saj më të dhunshme, duhet fajësuar. Por po ashtu edhe njerëzit dhe babëzia e tyre. “Nëse do e kishit parë këtë vend kur ishte kënetë, njerëzit vinin të peshkonin. Nuk mendohej se do ndërtoheshin shtëpi,” thotë Ahmetaj. Megjithatë u ndërtua- ndërtimet ishin shpesh të kompromentuara nga korrupsioni- një model i përsëritur në mbarë Shqipërinë, një komb i vogël ballkanik,” shkruan gazeta.
“Tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri vrau 51 njerëz, dërgoi qindra në spitale dhe la mijëra të pastrehë. Teksa tronditja vazhdon, tragjedia ofron një paralajmërim të ashpër për një rajon që është shkatërruar nga tërmete shumë më të fuqishme në të shkuarën dhe që ekspertët paralajmërojnë se është i papërgatitur për një tjetër tërmet të madh”, shkruan gazeta.
Ajo udhëton më pas në Rumani, Bullgari e kudo në vendet e rajonit, duke theksuar se pavarësisht tërmeteve të mëdha, Ballkani e ka injoruar historinë sizmike dhe nuk ka nxjerrë leksione.