Viti 2020 vjen me lajme të mira për 14 artistë, sportistë dhe ish-të përndjekur, të cilët në bazë të një vendimi të Këshillit të Ministrave, të marrë më 24 dhjetor të vitit që lamë pas, kanë fituar të drejtën për pension të posaçëm.
![Shyqyri Sako](http://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2020/01/Shyqyri-Sako.jpg)
Për sa i përket kulturës, piktori i filmit Shyqyri Sako, i cili vitin që lamë pas çeli edhe ekspozitën e tij personale “Duke pikturuar filmin” në Qendrën për Hapje dhe dialog, mundi ta merrte pensionin e posaçëm vetëm në moshën 83-vjeçare, pavarësisht kontributit të gjerë në kinematografi. Po ashtu, pensioni i posaçëm është miratuar edhe për poetin Visar Zhiti.
Në bazë të vendimin nr. 894, Këshilli i Ministrave ka vendosur “dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror z. Visar Hekuran Zhiti, në masën e katërfishit të pensionit social, por shuma e pensionit, që përfiton sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, plus këtë shtesë, të mos kalojë tetëfishtin e pensionit social”.
![Jorgo Papingji,](http://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2020/01/jorgoo-1.jpg)
Është aprovuar pensioni i posaçëm edhe për shkrimtarin Ago Nezha, “Mjeshtër i Madh”, i njohur edhe për kontributin e gjerë në Shoqatën Kulturore Atdhetare “Labëria”. Ndonëse është dëgjuar apeli i bërë publikisht nga autori i këngëve Jorgo Papingji, duket se qeveria ka lënë mënjanë figura të tjera të kulturës, si shkrimtari për fëmijë Gaqo Bushaka.
ISH-SPORTISTËT QË NDERUAN SHQIPËRINË
Në fletoren zyrtare, mes emrave figuron edhe sportisti Shyqyri Ballgjini, i cili ka luajtur shumicën e viteve të karrierës me “Dinamon”. Ballgjini, i cili mban dhe titullin “”Legjenda e futbollit shqiptar” është konsideruar si një nga sulmuesit më të mirë në epokën e tij, duke shënuar më shumë se 100 gola në Kampionatin Kombëtar dhe më shumë se 50 në ndeshjet për Kupën e Republikës.
![Shyqyri Ballgji](http://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2020/01/Shyqyri-Ballgji.jpg)
Nga futbolli, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 890, është atribuuar pension i posaçëm dhe për trajnerin dhe futbollistin Faruk Sejdini. Nga sporti i jepet pensioni special edhe ish-volejbollistes Ela Tases, e cila mban titullin “Mjeshtre e merituar”. Tase ka qenë 16 herë kampione kombëtare në volejboll, 14 herë fituese e Kupës së Shqipërisë, 10 herë fituese e anketës sportive “10 sportistët më të mirë të vendit”.
![Ela Tase](http://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2020/01/ela-tase.jpg)
Ajo është cilësuar volejbollistja më e mirë shqiptare e të gjitha kohërave. I konsideruar si artisti i basketbollit, pensioni i posaçëm i është atribuuar edhe Viktor Papavangjelit.
Nga muzika i është njohur e drejta për pension të posaçëm këngëtarit Hysni Zela, vëllait të artistes Vaçe Zela. Vendimi për pension të posaçëm i marrë nga qeveria një ditë përpara Krishtlindjeve ka përfshirë edhe ishsportistët Valentina Shehi, Ndriçim Spahiu, Rauf Dimraj dhe Edgar Prifti.
ISH-TË PËRNDJEKURIT
Për sa u përket ish-të përndjekurve, pension të posaçëm ka fituar edhe Zenel Drangu, i cili është dënuar gjatë sistemit komunist me 25 vite burg arratisje, të cilat i ka kaluar në burgun e Spaçit. Drangu, gjatë periudhës së burgut, ka punuar si minator, si dhe ka qenë pjesë e “Revoltës së Spaçit” të zhvilluar në datat 21–23 maj 1973. Aktualisht, ai mban postin e kreut të shoqatës së ish-të përndjekurve në qytetin e Shkodrës.
LISTA
1. Shyqyri Ballgjini – ish-futbollist
2. Faruk Sejdini – ish-futbollist
3. Shyqyri Sako – piktor
4. Zenel Drangu – ish-i përndjekur
5. Ela Tase – ish-sportiste
6. Visar Zhiti – shkrimtar
7. Ago Nezha – shkrimtar
8. Viktor Papavangjeli –
ish-basketbollist
9.Valentina Shehi (Myrto) – ish-sportiste
10. Ndriçim Spahiu – ish-sportist
11. Hysni Zela (këngëtar) vëllai
i artistes së madhe Vaçe Zela
12. Jorgo Papingji – autor këngësh
13. Rauf Dimraj – ish-sportist
14. Edgar Prifti – ish-sportist