Kryeministri Edi Rama po pritet me protesta dhe në qytetin e Gjirokastrës, ku do të nisë sot një vizitë dy ditore.
Një grup qytetarësh me në krye deputetin demokrat i Qarkut Gjirokaster Tritan Shehu kanë bllokuar rrugën nacionale Tepelenë-Gjirokastër, ndërsa për të mbarëvajtur protestën dhe për të shmangur çdo incident ka dhe forca të shumta policie.
Shehu u shpreh se kjo është një protestë kundër varfërisë, ndërsa tha më tej: Kjo është një protestë kundër varfërisë, ne jemi këtu për të thënë Rama ik. I gjithë qarku i Gjirokastrës është i blinduar pasi ky njeri ka frikë nga qytetarët, përpiqet që të fshihet pas uniformave blu.
Vetë qytetarët e pranishëm thanë se qarku i Gjirokastrës është përballur vitet e fundit me harresë nga ana e qeverisë, ku nuk ka pasur asnjë investim. Kjo është protesta e parë kundër Ramës, pas paralajmërimit të Lulzim Bashës se pas djegies së mandateve qytetarët do të zbrisnin në rrugët e të gjithë vendit.