BallinaOP EDMemento për skllevërit e rinj të Shqipërisë

Memento për skllevërit e rinj të Shqipërisë

spot_img
spot_img

Nga Ilir Nikolla

Në Shqipëri po bëhen gjithmonë e më të qarta e më të dallueshme kategoritë që kanë mbetur brenda kufijve. Klima e depresionit ekonomik dhe e mungesës së shpresës, gërshetuar me mungesën thuajse flagrante të sigurisë në rrugë, në familje e në mjediset publike, kanë sjellë largimin masiv të sipërmarrësve, të të rinjve si dhe ekselencave në fusha të ndryshme, që mezi i prodhon shoqëria. Disa e quajnë si zhdukje e klasës së mesme, të tjerë e quajnë si një mundësi zgjedhjeje që s’mund t’i mohohet askujt, por shumica bashkohen tek shqetësimi se vëmendja nuk duhet përqendruar tek ata që po ikin, por tek ata që po mbeten.
Brenda kufijve po mbeten ata që pranojnë “status-quo”-në si dhe ata që s’munden t’i shpëtojnë status-quo-së. Të tjerët s’kanë pritur gjatë. Balancat e INSTAT me shifrat e hyrje-daljeve të shtetasve në vend raportojnë se kemi afro 400 mijë largime të shtetasve shqiptarë më shumë sesa hyrje në vend, gjatë12 muajve të shkuar. Metodika e interpretimit të këtyre shifrave është e qartë dhe sido që ta vërtisë qeveria, mbetet fakti se 2019-a ka regjistruar shifrat më të mëdha të eksodit në vend, më të larta edhe sesa në 1991, thuajse në të njëjtat shifra me 1997-n dhe të papërsëritura më në asnjë vit tjetër.
Pas këtij eksodi pyetja urgjente legjitime është: kush po mbetet në vend dhe cilat janë perspektivat e kësaj kategorie? Fakt është se përveç përfituesve të padrejtë prej sistemit hibrid që është ngritur në vend prej Edi Ramës, që mund t’i ndajmë në punonjës administrate, biznesmenë që majmen me buxhetin e shtetit dhe elementë të nëntokës së krimit, të tjerët janë viktimat, të pafuqishmit, ata që s’kundërshtojnë dot dorën e qeverisë, taksidarin e qeverisë, qehajain e lagjes, kryeplakun e malavitës dhe gangsterin më të ri të klubit a oborrit të shkollës. Kjo kategori e skllavëruar paguan taksat aq sa i thonë, pranon me protesta të pafuqishme shpronësimet kur i thonë Rama e Veliaj, sheh me dhimbje se si rrëmbehen njerëzit në rrugë, se si dhuna në familja është shndërruar në dhunë në oborre shkollash dhe bluan të ardhmen e vet si punëtore e papaguar në kullotat e hashashit, si punëtore e pasiguruar në fermat e latifondistëve të qeverisë dhe si konsumatore e pambrojtur e mallrave të importuar nga klientët e qeverisë.
Skllevërit e Shqipërisë janë sot kategoria më e pambrojtur, kurbani i pandërprerë i keqqeverisjes. Për këtë kategori shprehet Edi Rama lart e poshtë se do qendrojë në pushtet një mijë vjet, pasi shqiptarëve nuk u ngrihet, prandaj për këtë kategori duhen gjetur zgjidhjet, pasi ajo vetë përfundimisht nuk është më në gjendje të gjejë një zgjidhje për vetveten, ajo s’ka takat të largohet dhe po i këputet kurrizi dhe s’ka mundësi as të mbijetojë gjatë. E dimë se pallavrat e dikurshme të Leninit, se “proletariati s’ka ç’humb, pasi ka vetëm prangat” s’pi ujë në shekullin XXI. Kjo kategori e re skllevërish duhet shpëtuar dhe rrezik zgjidhjet do detyrohemi t’i kërkojmë tek krahasimet me Rilindjen Kombëtare. Edhe atëhere zgjidhja erdhi nga jashtë, nga diaspora, nga bota arbëreshe, nga miqtë ndërkombëtarë të kombit tonë. Vjet pamë një rast se si një mobilizim i diasporës dhe një miting në Tiranë shkaktoi një krisje në pushtetin e klasës së skllavropronarëve. Sivjet s’është e qartë se çfarë duhet, por një bashkërendim i rezistencës së opozitës politike me faktorët që vijnë nga jashtë, do të krijonte sinergjinë e duhur për ta shpëtuar klasën e skllevërve të rinj të Shqipërisë, përndryshe, ata do të mbeten për një kohë të frikshme nën pushtetin e bandave plaçkitëse në qeveri dhe bandave “par excellence” rrugëve e lagjeve.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular