Gazeta greke “To Vima” ka publikuar pamjet e kamerave të sigurisë që kanë filmuar momentin e vrasjes së një të burgosuri shqiptar në burgun e Koridhalos.
Sipas gazetës greke, ngjarja ka ndodhur më 14 Janar të këtij viti, dhe sikurse duket në pamje, dy persona kanë sulmuar me thika duke e goditur disa herë të burgosurin shqiptar.
Bëhet fjalë për vrasjen e shqiptarit Arbër Bako 36 vjeç. Ky i fundit duket i gjakosur nga godijet me thikë dhe dërgohet me urgjencë në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.
Sipas artikullit të së dielës në gazetën greke “To Vima”, gardianët e burgut të Koridhalos nuk mundën të parandalonin vrasjen e shqiptarit, edhe pse gjithë skena ndodhi në korridorin e burgut.
KUSH ISHTE ARBËR BAKO
Arbër Bako ishte një emër i njohur për drejtësinë greke dhe për publikun. 36-vjeçari vuante dënimin në burgun e Koridhalos për një ngjarje të rëndë të ndodhur në vitin 2014. Policia helene e kishte cilësuar shqiptarin si një individ me profilin e një vrasësi serial.
Në muajin Nëntor të vitit 2014, Bako qëlloi me kallashnikov në një lokal në Pire duke lënë të plagosur 14 persona. Shqiptari dyshohej gjithashtu si një nga porositësit e vrasjes së mbetur në tentativë të avokatit grek Giorgos Antonopoulos, dhe si nxitës i vrasjes së avokatit tjetër Mixalis Zafeiropoulos. Ky i fundit është vrarë në Tetor të vitit 2017 brenda zyrës së tij në Athinë. Për vrasjen e avokatit Zafeiropoulos është arrestuar shqiptari Mikel Brahimaj si një nga ekzekutorët dhe në kërkim është bashkëpunëtori i tij Aleksandro Mata. Mikel Brahimaj u kishte thënë hetuesve grekë se për vrasjen e avokatit ishte porositur nga të burgosurit e Koridhalos, njëri prej të cilëve dyshohet të ketë qenë Arbër Bako.
Vrasja e Arbër Bakos është konsideruar nga mediat greke si pjesë e të ashtuquajturës “kontratat e vdekjes”. Ai ka qenë pjesë e mafias që vepron në burgun e Koridhalos, ku vuajnë dënimet shqiptarë e grekë të dënuar për krime të rënda.
14 JANAR 2019
Arbër Bako u vra më 14 Janar 2019 brenda burgut të Koridhalos. Kanë qenë dy të burgosur që qëlluan me thikë 36-vjeçarin, teksa njëri prej tyre e mbante nga krahu dhe tjetri e qëllonte. Autorët janë një 34-vjeçar shqiptar dhe një 25-vjeçar grek. Sipas mediave greke, Bako dyshohet se e vra për të mos spiunuar bashkëpunëtorët. 34-vjeçari shqiptar kishte pranuar para prokurorëve grekë autorësinë e vrasjes së Arbër Bakos, duke thënë: “Sapo erdhi në qeli më tha: Më vish shapkat dhe më bëj një kafe. Sillej sikur unë të isha shërbëtor i tij. U kujdesa që ato të ishin fjalët e tij të fundit”.