I gjithë stafi mjekësor, që do të jetë në vijën e parë të fronit në luftë me koronavirusin. do të marrë paga shtesë në muaj gjatë kohës që virusi është prezent, deklaroi kryeministri Edi Rama.
“I gjithë personeli mjekësor, mjekë dhe infermierë, sanitarë dhe shoferë të ambulancave, pra të gjithë ata që janë të angazhuar në vijën e parë në luftën me koronavirusin, do t’i paguajmë 1 mijë euro plus pagës në muaj mjekët dhe infermierët, ndërsa sanitarët dhe shoferët me nga 500 euro plus”.
Rama u bëri apel specialistëve që janë jashtë sistemit shëndetësor të rikthehen dhe reflektojnë përvojën e tyre në ndihmë të kësaj situate.
“Ka disa figura të mëdha dhe të respektuara mjekësia shqiptare dhe kjo është koha që mendja, eksperienca, janë pasuria më e çmuar. Disa njerëz që janë ende shumë dinamikë të fortë, edhe pse i kanë ndërprerë marrëdhëniet e punës, janë të ftuar, do të paguhen për të kontribuar në këtë luftë”.
Kreu i qeverisë u kërkoi qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të respektojnë të gjitha masat e vendosura. “Kjo është një kohë luftë, të cilën bota dhe ne do ta fitojmë, por ama të gjithë së bashku të bëjmë çmos që të kufizojmë maksimalisht dëmet që mund të shkaktohen jo trupit fizik të vendit, siç ndodhi me tërmetin, por shëndetit tonë. Kjo është një luftë, me një armik fare i padukshëm që hyn në trupin tonë, duke rrezikuar jetën tonë, por edhe njerëzve tanë të afërt. Mund të jesh malësor apo lab, po në këtë rast ky armik nuk pyet as nga vjen, as kush je, as çfarë historie ke dhe ku je, ky armik të godet. Personat publikë dhe të qeverisë sot duhet të jenë bashkë, dhe jo të ndarë në task forca alternative. Jo task forcë e opozitës apo e presidencës.”
Kreu i qeverisë sqaroi edhe çështjen e maskave, për të cilat më herët opozita i cilësoi si të rrezikshme.
Maskat që kanë ardhur në Shqipëri nga fondacion “Bijtë e shqipes” nga Kanadaja, janë ndaluar në doganën e Durrësit, për shkak se në shtetin shqiptar ka pasur një regjim doganor edhe për materialet humanitare. Ishin të destinuara për një shoqatë bamirësie. Janë prodhim amerikan.
Nëse këto maska do të ishin të rrezikshme nuk do të dilnin nga kufijtë e Kanadasë dhe nuk përshkonin oqeanin për të ardhur në Shqipëri. Këto maska përdoren edhe pas datës së skadencës, mund të përdoren edhe në sallat kirurgjikale, thjesht nuk kanë efikasitetin maksimal, asgjë tjetër. Këto nuk janë maska të rrezikshme”.