Kryeministri Albin Kurti thotë se nëse tarifa ndaj produkteve serbe hiqet, atëherë nuk rinis dialogu. Sipas Kryeministrit Kurtit, tarifa po kërkohet të hiqet, ashtu që të nënshkruhet marrëveshja, që sipas tij, tashmë është arritur mes Presidentit Hashim Thaci e homologut të tij serb, Aleksander Vucic.
Kurti edhe në seancën e sotme të jashtëzakonshme ka bërë të ditur se nuk është lëkundur nga qëndrimi i tij për zëvendësimin e tarifës ndaj produkteve serbe me reciprocitet ndaj Serbisë.
Ai thotë se me heqje të tarifës, do të bëhet me mbyllje të dialogut me marrëveshje, sipas tij, sekrete mes Thacit e Vucicit.
“Nuk bëhet fjalë për heqje të tarifës e për nisje të dialogut. Kjo është gënjeshtër. Bëhet fjalë për heqje të tarifës dhe mbyllje të dialogut me marrëveshje të gatshme”, ka thënë Kurti.
“Unë jam i bindur që ka marrëveshje mes dy presidentëve dhe duan që unë të thyhem si kryeministër dhe të thyhet Qeveria, ashtu që nënshkruhet ajo. Edhe nëse vetëm 10 për qind të ishim të bindur që ka marrëveshje të gatshme, ne duhet të kishim kujdes, e unë jam i bindur që ka”, ka thënë Kurti.
Sipas Kurtit, edhe pas ndaljes së dialogut për shkak të tarifës “nuk janë ndalur negociatat sekrete mes Thacit e Vuciqit”
Ai tutje e ka kritikuar presidentin Hashim Thaci, që qëndroi disa ditë në Amerikë, dhe sipas Kryeministrit, nuk solli asnjë sukses nga ai qëndrim.
“Të shkosh në Amerikë disa ditë, të mos e takosh as të parin e shtetit, as të dytin, e të kthehesh pa marrëveshje politike, pa sjell asnjë investim ekonomik, kjo është debakël. Cfarë shpenzojmë ne më këso Presidenti që sjell këso dështimesh” , ka thënë Kurti.
Kryeministri thotë se ai nuk është antiamerikan, por deklaratat e Presidentit Thaci janë antievropiane.
“Unë nuk jam antiamerikan, jam kundër antiamerikanëve, por Presidenti Thaci është antievropian. Unë jam edhe proamerikan edhe proevropian. Unë besoj në lidhjen transatlantike. Unë jam i gatshëm që të shkonë në Uashington DC dhe t’i diskutojmë të gjithë cështjet. Kemi nevojë për një proces të pranueshëm për SHBA’në, BE’në dhe rajonin”, u shpreh Kurti./Express