Nga Silvana Begaj
Të vrasësh një njeri është krim, por të vrasësh shumë është diçka e tmerrshme!
Shpesh ne qëniet njerëzore jemi shumë të çuditshëm! Hapim luftëra me vite dhe vrasim llojin tonë pa na u dridhur qerpiku, vrasim në momente dobësie, vrasim aksidentalisht… Por të gjitha këto vrasje kanë një arsye. Në luftë ne i ndajmë njerëzit në të mirët dhe të këqinjtë, në momente dobësie i ndajmë në fajtorin dhe provokatorin, në rast aksidenti themi se ashtu ishte e shkruajtur nga Zoti…
Po ka dhe forca më madhore se forca njerëzore. Ka armë më vdekjeprurëse se ato që ne përdorim. Ka vrasje më të tmerrshme se ato që ne mendojmë… Vrasësi mban emrin:Papërgjegjshmëri! E këtë dreq vrasësi po e rrisim çdo ditë!
Unë dua të besoj që ne nuk kemi nevojë për masa ndëshkuese, as për masa të rrepta. Ne e dimë që jemi në kohë të vështira! Ne e dimë që e vetmja gjë që kemi tani në dorë është të ndjekim rregullat, të mbrojmë veten dhe të tjerët.
Çdo ditë po vdesin njerëz! Sa e trishtueshme! Refuzoj të pranoj që do ketë akoma më shumë… Refuzoni dhe ju dhe bëni kujdes. Me vdekjen nuk ka trimëri dhe nuk besoj që një njeri i aftë mendërisht të luaj me propabilitete.
Vrasësi i padukshëm vret më shumë se ai që e njohim. Mos e ndihmoni! Lëreni të shuhet në heshtje! Askush nuk meriton të vdes pa emër, por si numër.
Nëse harroj të marr frymë për një minutë a dy, më zgjo! ‘Kam qenë njëherë gjallë dhe gjithçka mund të filloj nga e para’, thotë Xhojsi tek vepra e tij “Të vdekurit”.
Eh nëse je gjallë njeriu vërtet mund tia filloj nga e para! Por a e kuptojmë ne rëndësinë e të qënit gjallë? Ne, shqiptarët kemi vuajtur aq shumë sa nuk e dallojmë dot fijen ndarëse midis jetës dhe vdekjes. Por, mos harroni shpresën. Unë jam e sigurt dhe e di që edhe në jetën tonë të vështirë ka grimca lumturie!
Mos i humbni ato! Një grimcë e vogël lumturie mund të shkëlqej një qiell të errët.
Shqiptarë! Shqiptarët e mi! Shqiptarë të dashur! Tregoni qytetari që të dalim fitimtarë dhe në këtë luftë të ashpër dhe të trishtë.
Unë besoj tek ju, shqiptarët sot duhet të bëhet bashkë dhe të mbrojë njeri-tjetrin!
Pas kësaj ndoshta do kuptohet që jeta është shumë e shkurtër për t’u përçarë e ndarë për arsye politike, për një metër tokë, për një fjalë apo për arsye të tjera.
Bashkë ne do ia dalim, bashkë ne jemi më të fortë se çdo gjë!
SILVANA BEGAJ