Qeveria ka paralajmëruar ditët e fundit nisjen e liberalizimit të lëvizjes, duke theksuar se situata e të infektuarve me koronavirus është nën kontroll.
Por bashkia e Tiranës nuk është e këtij mendimi. Këtë të mërkurë në buletinin e tenderave është publikuar njoftimi, që mund të konsiderohet dhe horror.
Me argumentin e përballimit të Covid 19 përmes agjencisë së shërbimeve funerale kërkohet të blihet 56 arkivol për fëmijë nën 1 vjeç.
Në fakt kjo është një kërkesë e çuditshme pasi Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se deri më tani janë 21 fëmijë të infektua me Covid dhe gjysma e tyre janë të shëruar.
Por agjencia në varësi të bashkisë së Tiranës shkon edhe më tej. Kërkon blerjen dhe të 75 arkivolëve të mëdhenj dhe 5 më të mëdha se standardi.
Ndoshta dhe këtu kryebashkiaku duhet të dijë informacion shtesë, pasi deri më tani kur thuhet se në Shqipëri ka kaluar piku i pandemisë, numri i viktimave ka shkuar në 27, ndërsa 11 janë në terapi intensive. Por bashkia e Tiranës parashikon për 80 viktima.
Madje në tenderin e agjencisë janë bërë dhe specifikimet se porositë duhet të dorëzohen në tre faza, dhe brenda 3 javësh.
Horrorit të materialit, a thua se në Shqipëri numri i të sëmurëve në spital, përfshirë dhe fëmijët është i një niveli alarmant, i shtohen dhe fotot ilustruese. Data e zhvillimit të tenderit do të jetë 24 prill, kur dhe kompanitë do të duhet të paraqesin dokumentet për të fituar të drejtën që të furnizojnë bashkinë në këtë kohë pandemie. Ora News