BallinaTe tjera1985/Përpjekja për rekrutim gjatë burgimit dhe qëndresa para presioneve

1985/Përpjekja për rekrutim gjatë burgimit dhe qëndresa para presioneve

Nga Kastriot Dervishi

Më 11 prill 1985 vdekja u prit me gëzim të madh nga shumica e të dënuarve politikë që vuanin dënimet në kampet dhe burgjet e diktaturës. U prit me pezmatim dhe të qara nga të dënuarit ordinerë. Tregues mjaft kuptimplotë ky. Në Repartin nr.303 Spaç, i dënuari Bedri Blloshmi u kallëzua pasi u kish thënë shokëve “gëzuar”. Për këtë arsye, u izolua dhe qëndroi në birucë më  12 prill – 10 maj 1985. Pas kësaj, u mendua të rekrutohej me material shtrëngues. Shihni një rast qëndrese.

Më 4.7.1985, DPB Mirditë kërkoi nga Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit në MPB, miratimin e propozimin për rekrutimit me material shtrëngues të Bedri Blloshmit, miratim i cili erdhi më 19.7.1985 me firmë të zëvendëskryetarit të Degës së 8-të, Agim Zeka. Menjëherë pas kësaj, Bedri Blloshmi u dërgua në birucat e Mirditës. Në relacionin përkatës që shoqëronte propozimin, thuhet se Blloshmi, i cilësuar “në pozita armiqësore” dhe “person me rrezikshmëri shoqërore”, ishte rimarrë në përpunim 2A më 3.5.1985 gjatë vuajtjes së dënimit në Spaç për “tendencë agjitacioni e propagande armiqësore”. Gjatë kësaj kohe ishte përpunuar nga 2 agjentë dhe 4 informatorë. Gjatë kësaj kohe (por edhe para saj, pasi sillen disa raporte), ai midis të tjerash kish thënë:

-Të mëdhenjtë, dalëngadalë po eliminojnë njëri-tjetrin. Tani ka ardhur radha e tij të madhit fare, atij qenit që na mban ne këtu në burg, e kështu t’u shuhet fryma të gjithëve (deklaratë e datës 20.11.1984).

-Enver Hoxha është sëmurë dhe shpejt i lan hesapet në këtë botë. Komunizmi është vjetruar dhe kudo në botë komunizmi ka vdekur. Pas vdekjes së Enverit, këtu do vijë tjetër kush dhe ky do paguajë të gjitha lekët për burgun që kemi bërë. Këtë verë do të bëhet diçka, por siç duket po e shtyjnë fuqitë e mëdha, se sot është shembur komunizmi në Shqipëri.

-Unë dhe familja ime kemi qenë kundër këtij pushteti, ne kemi hak për të marrë kundër qeverisë, sepse na ka vrarë njerëzit dhe na ka plaçkitur. Kjo qeveri do që t’i degjenerojë njerëzit.

-Ah vdiq shpirtqeni. Të vuash 20 vjet burg e mbash zi për këtë, duhet të jesh gomar. Këtë ditë prisnim ne dhe ajo erdhi. Shumë e çoi 40 vjet, nuk e lëshoi që nuk e lëshoi. Dhe këta do t’i rrëzojmë menjëherë. Një të marrë radio Tiranës dhe njoftim grusht shtetit, gjendje alarmi, fillon patrullimi nëpër rrugë, shpallet shtetrrethimi, etj, etj.

-Unë nuk e kam dashur dhe nuk e dua këtë pushtet, se po na thith gjakun si shushunjë. Por nuk është e largët dita që do të hakmerremi. Enveri ndërtoi socializmin me të burgosurit, duke gënjyer popullin dhe mashtruar rininë.

-Këta më kanë marrë shpirtin, më kanë pushkatuar vëllanë padrejtësisht. Unë për këta nuk punoj dhe këtë qeveri nuk e dua. Enver Hoxha ishte i pamëshirshëm, por duhet duruar, se do vijë dita jonë. Këta janë të pabesë, po “tradhtojnë” një nga një.

(në vijim: dështimi i rekrutimit dhe demaskimi në kamp)

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular