Mbrëmjen e së enjtes është arrestuar nga policia e Rosarios në Argjentinë, Jorge Messi, babai i Lionel Messit.
Shkak për arrestimin e të atit të yllit të Barcelonës është bërë një aksident. Jorge Messi ka goditur me makinën e tij një motoçiklist. Ngjarja ka ndodhur në qytetin Santa Fe në Rosario.
Babai i kapitenit të Argjentinës është dërguar në paraburgim në një stacion policor në Rosario, ndërsa motoçiklisti është dërguar menjëherë në spitalin më të afërt, për të marrë ndihmën e parë dhe për të matur shkallën e dëmtimeve.
Në stacionin policor Jorge Messit do t’i bëhen edhe testet e frymëmarrjes, për të matur dozën e alkoolit në trupin e tij.