Ministrja e Arsimit teksa lajmëroi se mësimi online për nxënësit e klasave nga 1 deri në 11 do të vijojë deri në 29 maj, saktësoi edhe pjesën e notave përfundimtare për secilën lëndë, se si do të vlerësohen nxënësit.
“Vlerësimet përfundimtare do të mbyllen dy javët e para të qershorit nëpër shkolla nga mësuesit ku edhe kanë regjistrat, duke u bazuar në notat që janë marrë deri në datën 9 mars, kur i kemi mbyllur shkollat, e duke marrë parasysh edhe vlerësimet në kushte shtëpie por këto të fundit vetëm nëse ndihmojnë e jo penalizojnë nxënësit në përmirësimin e notës.
Edhe për këtë do nxirren udhëzime më të detajuara për mënyrën si do mbyllen notat, për transparencë edhe për prindërit e nxënësve”.
Ndërkohë, ministrja Shahini iu bëri thirrje të gjithë prindërve, që duan të përsërisin vitin shkollor të fëmijëve, për shkak se shkollat janë mbyllur nga koronavirusi, se mund ta përsërisin vitin, por duhet të njoftojnë më parë.
“Shtatori do të nisë me përsëritjen e temave të këtyre muajve, para se të fillojë vitin e ri shkollor. Nëse ata prindër duan të përsërisin vitin shkollor për fëmijët, kanë të drejtë ta bëjnë, por duhet të na njoftojnë më parë”, tha ministrja Shahini.