Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AKR-së, Behgjet Pacolli është ulur me avionin e tij privat në Tiranë. Kështu raporton Kallxo.com në Kosovë.
Mëngjesin e sotëm, Pacolli shkroi se Ministria e Shëndetësisë nuk e ka lejuar kthimin e tij në Kosovë.
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia deklaroi se Pacolli duhet të futet në karantinë për 14 ditë pas kthimit në Kosovë, ashtu sikurse çdo qytetar tjetër në Qendrën e Studentëve në kryeqytet, shkruan Kallxo.com.
Por Pacolli zbarkoi në Tiranë me avionin e tij dhe kjo ka bërë që mediat të pyesin nëse ai është vendosur në karantinë në Tiranë, te hotelet e caktuar nga kryeministri Edi Rama.
Nga ana tjetër, Klan Kosova shkruan se Pacolli do ta kalojë natën në apartamentin e tij në Tiranë.
Kurse Lajmi.net shkruan se ai është nisur drejt Prishtinës. Deri tani mbetet mister se ku ndodhet Pacolli dhe nëse do futet në karantinë nga qeveria shqiptare.