Një numër i madh pasagjerësh të cilët prisnin që gjatë ditës së sotme të udhëtonin me avionin e kompanisë zvicerane Edelweiss, nga Zyrihu në Tiranë, kanë mbetur të bllokuar në aeroportin e kryeqytetit zviceran.
Mes pasagjerëve që kishin prerë biletat rezulton të ketë qenë dhe i Dërguari special i Bashkimit europian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili kishte zgjedhur këtë mundësi për të qenë nesër i pranishëm në një vizite zyrtare në Prishtinë, të parën që kur mori këtë detyrë.
Kompanisë Edelweis, nuk i është lejuar fluturimi drejt aeroportit Nënë Tereza të Tiranës. Autoritetet shqiptare i thanë Zërit të Amerikës, se kompanisë ajrore zvicerane, nuk i ishte dhënë asnjë leje, aq më tepër kur mes Shqipërisë dhe Zvicrës, nuk është nënshkruar ende një marrëveshje për rihapjen e fluturimeve, të cilat u pezulluan për shkak të pandemisë së COVID 19.
Rihapja po bëhet graduale, dhe në këto momente, një pjesë e shteteve po operojnë përmes marrëveshjeve dypalëshe, siç ka ndodhur mes Shqipërisë dhe Austrisë, Serbisë dhe Greqisë, thanë zyrtarë të ministrisë së Infrastrukturës, duke shtuar se Shqipëria madje i ka bërë kërkesë Zvicrës, për rinisjen e lidhjeve ajrore, por ende pala tjetër nuk ka dhënë pëlqimin.
Për situatën e krijuar, nuk ka një reagim nga kompania zvicerane. Zëri Amerikës ju drejtua shoqërisë Edelweiss, për shpjegime përmes e-mailit, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk kishte marrë ende përgjigje.