BallinaKryesore“Investime për fasada”: 83% e studentëve ankohen për kushtet në Qytetin Studenti

“Investime për fasada”: 83% e studentëve ankohen për kushtet në Qytetin Studenti

Pas protestave studentore të dhjetorit 2018, qeveria shqiptare investoi rreth 300 milionë lekë dhe 3 milionë euro grante për përmirësimin e kushteve dhe rikonstruksionin e konvikteve në Qytetin Studenti. Megjithatë, një anketim i kryer nga organizata “Qëndresa Qytetare” tregon se gati 83% e studentëve mendojnë se investimet nuk kanë sjellë përmirësim të kushteve të jetesës dhe se ndërhyrjet u bënë vetëm në fasada.

Anketimi u krye në shkurt 2020 dhe përfshiu 200 studentë nga 23 godinat e Qytetit Studenti. Ai kishte në fokus infrastrukturën dhe kushtet e akomodimit, kushtet higjieno-sanitare, të drejtën për ushqim dhe siguri si dhe shërbimet e ofruara nga Drejtoria e Rezidencës Studentore Nr.1 në Tiranë.

Më shumë se gjysma e studentëve [55.5%] shprehen se ata meritojnë një shërbim më dinjitoz në këmbim të tarifës prej 45 mijë lekësh për 9 muaj që ata paguajnë.

Ankesat më të mëdha janë për kushtet higjieno-sanitare dhe dhomat akomoduese në godinat e Qytetit Studenti. Rreth 99% e studentëve raportuan mungesën e kushteve më minimale të higjienës nëpër tuale, ku mungojnë letrat higjienike ose sapunët.

Rreth 66% e studentëve ankohen për hapësirat e vogla të dhomave akomoduese, të cilat i ndajnë shpeshherë me dy persona të tjerë dhe nuk gjejnë hapësirë as për të vendosur librat.  Studentët raportojnë gjithashtu në shumicë mungesën e një mense publike, problemet me shërbimin Ëireless si dhe sallat e papërshtatshme të studimit.

Sipas kontratave të akomodimit, të lidhura me kryesinë e rezidencës studentore, ngrohja qendrore dhe pajisja me internet ëireless janë disa nga shërbimet që duhet të ofrohen nga kampusi, por 97.5 % e studentëve rezidentë thonë se ata i sjellin vetë pajisjet ngrohëse në dhomat e tyre.

Anketimi i organizatës “Qëndresa Qytetare” nuk u ndal vetëm në kushtet e konvikteve, por gjithashtu edhe në përfshirjen në vendimmarrje të studentëve rezidentë. Mbi 85% e studentëve u shprehën nëpërmjet pyetësorëve se nuk janë pyetur asnjëherë lidhur me nivelin e cilësisë së shërbimeve në Rezidencën Studentore Universitare nr.1.

Sipas organizatës “Qëndresa Qytetare”, Rezidenca Studentore Universitare nr.1 ka lidhur 20 kontrata prokurimi për përmirësimin e kushteve në konvikte.

“Këto kontrata duket se akoma nuk kanë arritur ofrimin e disa  shërbimeve bazike siç janë kushtet higjeno-sanitare në tualete, shërbimi në mensa shtetërore, sigurimi i ambjenteve të përbashkëta të studimit, ngrohja qëndrore e dhomave etj,” thuhet në raportin e monitorimit.

Përveç probleme historike me kushtet e këqija, “Qëndresa Qytetare” vëren nivel shumë të ulët të transparencës dhe llogaridhënies nga Rezidenca Studentore Universitare nr.1. Ky institucion ka refuzuar 3 herë kërkesat për informacion me justifikimin se nuk kishte emëruar një koordinator për të Drejtën e Informimit si dhe nuk ka një faqe interneti funksionale për të publikuar procedurat dhe kriteret e akomodimit në rezidencë, kontratat, shpenzimet dhe gjithçka që lidhet me llogaridhënien publike.

Qëndresa Qytetare denoncon gjithashtu përdorimin e faqes së internetit të Rezidencës Studentore nr.1 për shpërndarjen e aktiviteteve të Bashkisë së Tiranës.

” Faqja zyrtare e RSU-së NR.1 në Facebook nga monitorimi i kohështrirjes së saj është përdorur vetëm si instrument për të shpërndarë fjalime dhe aktivitete të Bashkisë Tiranë dhe Kryetarit të saj,” raporton “Qëndresa Qytetare”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular