Një ditë pasi u shënuan 50 raste të reja me të infektuar në vendin tonë, mësohet se sot kemi sërish rritje të numrave.
Ministria bën me dije se në 24 orët e fundit kanë rezultuar pozitiv me koronavirus 66 persona të tjerë.
“Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 280 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 66 raste pozitive kryesisht kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive, si dhe raste të reja në proces hetimi.
Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë është si vijon: 32 raste në Tiranë, 12 në Krujë, 7 në Vlorë, 6 në Durrës, nga 3 raste në Shkodër dhe Fier, nga 1 rast përkatësisht në Tropojë, Lezhë, Elbasan.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 9 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë në 1086“, tha minstria.
Mirela Cami, drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor tha se të gjithë qytetarët dhe bizneset duhet të jenë të kujdesshëm dhe të jenë rigoroz në zbatimin e protokolleve të sigurisë.
“Kjo është e vetmja mënyrë që të kufizojmë përhapjen e infeksionit. Sjellja individuale është përcaktuese në këtë betejë me Covid19.
Është shumë e rëndësishme që jo vetëm personat e konfirmuar pozitivë por edhe ata që janë të dyshuar apo janë në që janë në pritje të përgjigjes së testit, duhet të qëndrojnë të izoluar në shtëpi, pasi janë burim për përhapjen e infeksionit“.