Nga Red Varaku
Dihet që Edi Rama hyri i detyruar dhe jo si palë me vullnet politik në procesin e reformës zgjedhore, ndaj po e tërheqin zvarrë në këtë proces.
Kjo sepse çdo kryeministër e ka të qartë që kur vjen puna tek reforma zgjedhore, ka ardhur dhe koha për të lënë pushtetin.
Pra, ai e di që pas miratimit të reformës zgjedhore vjen dekretimi i datës së zgjedhjeve. Duke e ditur që popullariteti i tij ka kapur fundin dhe humbja është e sigurtë, i vetmi shans për të mbetej përçarja e opozitës.
Duke qenë se nuk ia doli dot megjithëse u investua totalisht para dakortësimit të reformës zgjedhore, ai po përpiqet ta arrijë këtë nëpërmjet ndalimit të koalicioneve parazgjedhore.
Kaq besoj është e qartë.
Por, e qartë po ashtu është edhe vendosmëria e faktorit ndërkombëtar, i cili nëpërmjet dy institucioneve më të larta perëndimore Parlamentit Europian dhe Sekretarit Amerikan të Shtetit, po i kërkon njëzëri zgjedhje parlamentare dhe lokale në të njëjtën ditë si dhe ndëshkim të krimit elektoral.
Siç është e qartë që përballë ai ka koalicionin më të madh opozitar në historinë e pluralizmit politik shqiptar dhe ky koalicion mbetet më i vendosur dhe më i bashkuar se kurrë përballë tij, me gjithë përpjekjet për ta blerë ose shantazhuar atë.
Varianti i përçarjes ishte i përsosur, sepse nga njëra anë shkatërronte opozitën duke e futur atë në një spirale kaosi të brendshëm, ndërsa nga ana tjetër e ristartonte betejën politike nga fillimi duke rikonfiguruar të gjithë aleancat politike.
Por, ai nuk arriti dot edhe pse për këtë ofroi gjithçka, madje dhe karrigen e kryeministrit. Kjo është arsyeja që tani po e përdor gjithë këtë proces thjesht për të rritur pazarin e tij dhe për të marrë garanci për fundin.
Ndërkohë, roli i prishjes ose bllokimit të reformës zgjedhore është një rol që po e diskretiton atë çdo ditë e më shumë dhe po dëshmon pasiguritë e tij për të ardhmen e tij politike gjë që po reflektohet edhe tek besnikët e tij në terren .
Pas të vërtetave që shpallën përgjimet, reforma kishte nevojë për një akt politik të qartë nga ai, që do të ishte miratimi në tavolinë i të gjitha kërkesave të opozitës. Pra, zgjedhje të parakohshme politike në një datë me ato lokale, me një qeveri tranzitore pa Ramën kryeministër.
Pafuqia për të bërë këtë akt politik dhe ideja qesharake se mund të përfitojë politikisht duke i bërë pis të gjitha palët, në të vërtetë dëshmon paaftësinë dhe dështimin e plotë të këtij njeriu.
Pra, nuk ka dyshim që i vetmi produkt politik i deritanishëm që ka nxjerrë në pah procesi i reformës zgjedhore është dështimi i kryeministrit për të realizuar përçarjen e opozitës, gjë që jo vetëm e ka diskretituar, por e ka ekspozuar publikisht me të gjitha frikërat, mëdyshjet dhe ngërçet për të ardhmen e tij politike.