Kryeministri Rama zhvilloi një takim me homologun grek Tsipras gjatë zhvillimit të samitit 16+1 mes vendeve te Europës Juglindore dhe Kinës.
Në njoftimin për media të zyrës për shtyp të Kryeministrisë, thuhet se biseda mes kryeministrave shqiptare dhe grek u përqendrua në reformat e ndërmarra nga Shqipëria me synim hapjen e negociatave me Bashkimin Europian si edhe në nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve dypalëshe jo vetëm në rrafshin politik e të fqinjësisë së mirë, por edhe në shkëmbimet tregtare dhe investimet e huaja.
Kryeministri Rama vlerësoi qëndrimin e Athinës zyrtare mbi të ardhmen e Shqipërisë në BE dhe rolin që qeveria greke luan për çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE.
Po çfarë thonë mediat greke për takimin
Zougla.gr duke cituar burimeve diplomatike, thotë se Tsipras i bëri të qartë Ramës në takim se kriteri kryesor për të pasur mbështetjen e Greqisë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE është respektimi i të drejtave të minoritetit grek në vendin tonë. Gjithashtu, të njëjtat burime bënë të ditur se Tsipras dhe Rama diskutuan qëndrimet e qarta të BE-së në lidhje me të drejtat pronësore të minoritetit në Shqipëri dhe në lidhje me ligjin për vetëvendosje, e cila është pjesë e ligjit mbi pakicat.
Në këtë kontekst, z. Tsipras shënoi një hap pozitiv në vendimin e ri Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për pronën e qytetarëve që nuk kanë tituj pronësie dhe theksoi se me rëndësi është zbatimi i këtij vendimi. Vendimi i qeverisë gjithashtu do të publikohet në Fletoren Zyrtare në ditët e ardhshme, siç ka premtuar Edi Rama.
Gjithashtu, zoti Rama, siç theksojnë të njëjtat burime, është zotuar të bëjë gjithçka për të qenë në përputhje me rregullat e BE në lidhje me të drejtat pronësore, me respekt absolut ndaj atyre që kanë certifikata.
Për më tepër, të dy udhëheqësit diskutuan, siç theksojnë të njëjtat burime, hapat e ardhshëm në lidhje me dialogun mbi tekstet shkollore dhe varrezat.
Në pjesën e dytë të takimit, kryeministrat e Greqisë dhe Shqipërisë diskutuan për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, në plan afatgjatë, duke u fokusuar në infrastrukturë.