I pyetur nga gazetarët se duke rrëzuar marrëveshjen e 5 qershorit, po rrezikon që të futet në një përplasje me Bashkimin Europian, kryeministri Rama tha se ne jemi shtet dhe se nuk është askund e shkruar që duhet të bëjë marrëveshje me Bashën, për të çelur negociatat.
Edi Rama: “Së pari nuk dua që ne ta rrëzojmë atë marrëveshje edhe pse mua nuk më pëlqen, por ky është një proces ku unë i pari që flas për të tjerët dhe PS-ja, që ndërvepron me të tjerët, duhet të japë shembullin dhe po e jep, ne nuk na pëlqen marrëveshja. Ne donim depolitizimin e administratës zgjedhore dhe më vjen keq që Lulzim Basha thotë e bëmë me zor, nuk e bëmë me zor.”
Rama u shpreh se jemi shtet sovran dhe kemi mbështetjen më të madhe popullore në Ballkan për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Edi Rama: ”Nuk ka askund të shkruar që Shqipëria të bëjë marrëveshjen me Bashën apo partitë jashtë parlamentit për të bërë konferencën ndërqeveritare, as që Shqipëria ka kusht për të bërë marrëveshje me partitë jashtë parlamentit. Shqipëria është shtet sovran, që me vullnet të plotë dhe në funksion të ëndrrës së madhe dhe të mbështetjes më të madhe në Ballkan nga populli i vet, troket për të hyrë në BE. Nuk është as Rama, as Basha,që e kanë vendosur këtë, apo që mund ta çvendosin këtë, është shteti shqiptar.
Shteti shqiptar ka detyrimin të provojë se është në gjendje të përmbushë të gjitha ato standarde që i duhen për të qenë anëtar i familjes europiane dhe konkretisht, këtu më erdhi edhe kjo ma dha Taulanti këtë të ambasadorit. Reforma zgjedhore është kusht kyç, patjetër, marrëveshja është një nga instrumentet për të realizuar reformën zgjedhore, ndërkohë që gjykimi bëhet mbi produktin dhe jo kush u mërzit apo gëzua nga reforma, kjo nuk është pjesë e standardeve europiane, që duhet të jetë i gëzuar Luli, apo që disa parti që kanë braktisur parlamentin, të japin konsensusin e tyre, ose përndryshe parlamenti duhet të paralizohet.”