Detaje të reja tronditëse zbardhen nga krimi i rëndë, i ndodhur mbrëmjen e kaluar në Pogradec, ku djali vrau në mënyrë makabre të ëmën e moshuar. Raportohet se krimi tronditës ka ndodhur në sy të mbesës së viktimës 15 vjeçe.
Kjo e fundit ka parë që i ati, 44-vjeçari Olsi Çekiçi, po sullmonte me thikë gjyshen, Firdes Çekiçi, dhe ka njoftuar me telefon policinë, duke u larguar menjëherë nga banesa me një biçikletë nga frika. Patrulla e Përgjithshme është nisur drejt adresës që iu ka dhënë adoleshentja, ku kanë gjetur autorin e krimit duke tentuar të vrasë të vëllanë, teksa e ëma kishte ndërruar jetë.
Ndërhyrja e menjëhershme e patrullës bëri që ngjarja të mos kishte përmasa edhe më të mëdha. Ndërkohë, mësohet se 15-vjeçarja, pasi ka dalë nga shtëpia, ka gjetur një patrullë policie dhe iu ka rrëfyer ngjarjen.
Sipas saj, i ati e ndiqte gjyshen nëpër shtëpi me thikë dhe i thoshte ‘boll jetove’. Autori i krimit të tmerrshëm ka qenë i dënuar në Itali për drogë dhe vjedhje në vitin 2013, ndërsa prej vitit 2017 ai ishte kthyer në Shqipëri.