“Djegia e mandatave është një hap i imponuar nga rrethanat politike dhe shënon e kulmon ngritjen e një sipari beteje që mbyllet vetëm me një fund: me zgjedhje të parakohshme”. Për deputetin e PD-së, Luçiano Boçi, në kushtet e demokracisë fasadë të fikur, e pa drita mandatesh, Rama do kapet me thonj pas karrikes, duke u përpjekur të luajë rolin e “viktimës” e populli me opozitën është “xhelati”. Në një intervistë për “Koha Jonë”, i pyetur se çfarë do ndodh me listat e kandidatëve pas djegies së mandateve, Boçi dha këtë përgjigje: “Rama po investohet në këtë drejtim por në optikën time është i lejuar që ta bëjë. Nuk do pjellë as më shumë e as më pak por parlamentin me demek pluralist të ’91, ku PS fitoi e ishte mazhorancë, në aleancë me organizatat jopolitike që u quajtën subjekte zgjedhore”. Ndërsa për qeverinë tranzitore, deputeti demokrat, pohon se “garanton vazhdimin e reformave evropianizuese për të mundësuar çeljen e negociatave dhe realizim e zgjedhjeve të ndershme e të lira brenda një kuadri të plotë ligjor që shmang krimin, hajdutërinë e vjedhjen”.
Përshkallëzimi i opozitarizmit në vend pati kulminacionin me protestën e 16 shkurtit. Përse opozita shkoi tek ky vendim për djegien e mandateve? Si do të jetë vazhdimi?
Protesta gjigande e 16 shkurtit ishte jo vetëm një duf zemërate qytetare e shprehur në të gjithë përmasën e mundshme por njëkohësisht dhe një thirrje e plotë e tyre drejtuar ne si opozitë, për ti dhënë fund maskaradës së një demokracie parlamentare të diskretituar dhe të shëmtuar. Komunikimi ynë për këtë vendim me publikun ka qenë i vazhdueshëm dhe vendimi aspak “rrufe në qiell të pastër”. Djegia e mandatave në kushtet e kriminalizimit të votës së faktuar të vjedhur e të grabitur, ka qenë një kërkesë konstante e parashtruar në shumë forume, opinione, konsiderata e qëndrime.
Kreu i PD e kishte paralajmëruar një masë të tillë në rast të kulmimit të një proteste si kjo e 16 shkurtit. Jo thjesht si veprim simbolik apo si përmbushje oreksesh por si një hap in extremis, i kushtëzuar nga reagimi qytetar e mosreagimi qeverisës, si një vazhdim i protestës dhe kërkesës qytetare me mjete krejtësisht politike. Ushtrimi i opozitarizmit parlamentar si thelb i demokracisë, në kushtet e zaptimit ekonomik, politik e mediatik qeverisës, në kushtet e zënies së çdo hapësire kontrolluese, ligjvënëse e zëdhënëse të opozitës, ka humbur çdo kuptim dhe vlerë. Opozita nuk mund të jetë kurrsesi një kuadrat i puzzl-it të interesave imediate financiaro-korruptive dhe interesave politiko-okulte të një grupi sunduesish që kanë si përfaqësues e drejtues figura të miksura krim-politikë, si ajo e Ramës.
Opozita e opozitarizmi janë zë i qytetarit, janë alternativa e vendit, janë energjia që shtyn e vë para përgjegjësisë morale e politike çdo lloj drejtimi e menaxhimi. Tendenca dhe investimi për të zhdukur, kufizuar, keqpërdorur opozitën bashkë me tendencën për të çimentuar formulat kriminale të blerjes e mbajtjes së pushtetit, konsiderohen si veprime absurde, miope e aventureske. Ato çojnë domosdo në devijim të vlerës së politikës dhe në një konfrontim të pashmangshëm me interesin publik dhe qytetarin e thjeshtë. Në rrethana të tilla, djegia e mandatave është një hap i imponuar nga rrethanat politike dhe shënon e kulmon ngritjen e një sipari beteje që mbyllet vetëm me një fund: Me zgjedhje të parakohshme. Teknikisht nëpërmjet një qeverie tranzitore detyrë e së cilës është garantimi i vazhdimit të reformave të kushtëzuara nga BE e Washingtoni dhe krijimi i të gjithë infrastrukturës ligjore e logjistike për të zhvilluar zgjedhje të ndershme e të drejta. Vazhdimi është i paralajmëruar. Në kushtet e demokracisë fasadë të fikur, e pa drita mandatesh, Rama do kapet me thonj pas karrikes, duke u përpjekur të luajë të gjitha fijet për të bindur përkrahësit jashtë e brenda se ai është “viktima” e populli me opozitën është “xhelati”.
Do bëjë e do tjerrë ture me takime me administratën, për të reklamuar mbështetje. Do bëjë si kalorës i drejtësisë, ndërkohë që propozon ndryshime ligjore për t’i dhënë imunitet deputetëve e ministrave të tij e do akuzojë opozitën, ndërkohë që kjo me vullnetin e saj është zhveshur nga çdo imunitet dhe e gatshme të përballet me çdo formë drejtësie. Do bëjë e ç’nuk do bëjë që si e si mos humbasë privilegjet e grumbulluara me pastrim, vjedhje, korrupsion, offshore, banka e kesh. Por të jeni të bindur që në fund ai nuk e shmang dot fundin prej një sundimtari të shfazuar mentalisht e emocionalisht. Protesta e 16 shkurtit do ketë simotrat e saj dhe aksioni ynë i kulmuar do ruajë ritmet e tij deri në realizimin e vullnetit qytetar.
Opozita thotë se në mënyrë demonstrative do të djeg mandatet të enjten por nëse deputetë të caktuar thonë që nuk i djegim, si i bëhet? Çfarë ndodh me listat e kandidatëve pas djegies së mandateve?
Këtu nuk ka dilema. Djegia e mandateve tashmë ka ndodhur e çdo demostrim tjetër është një shtojcë efektive opsionale. Vendimi politik është marrë dhe formalisht sanksionohet nga vendimi i Këshillit Kombëtar të PD. Partitë e tjera opozitare janë në të njëjtën linjë. Çështja e kandidatëve që ndjekin listën nuk është një çështje nominative. Mandatet nuk janë personal. Ato janë vullnete politike të zgjedhësve të shprehura ndaj programeve e vizioneve të forcave politike. Njësimi i mandatit me një emër është i karakterit formal. Vendimin final e ka forca politike që e ka propozuar. Ligjërisht, ndonëse nuk ka një përcaktim të qartë e që le shteg për diskutime, politikisht çdo gjë është taksative. Djegien e mandateve sot po e bën opozita dhe jo individi. Akti individual pas heqjes së tagrit përfaqësues nuk asnjë vlerë. E kuptojmë që Rama po investohet në këtë drejtim por në optikën time është i lejuar që ta bëjë. Nuk do pjellë as më shumë e as më pak, por parlamentin me demek pluralist të ’91, ku PS fitoi e ishte mazhorancë, në aleancë me organizatat jopolitike që u quajtën subjekte zgjedhore si Frontin, Bashkimet profesionale, Gruaja komuniste, Rinia komuniste etj, etj por që ishte në kundërshtim të plotë, sikurse sot me vullnetin qytetar. Historia dihet më pas me zgjedhjet e parakohshme të 22 marsit.
Çfarë do të ndodhë të enjten? A do të kthehet parlamenti “në arenë”, siç ndodhi tek kryeministria? Do tentojnë qytetarët të hyjnë brenda parlamentit?
Është diçka që e vendosin vetë qytetarët. Forma e reagimit është në dorë të tyre. Ai parlament është i marrë fund dhe i mbaruar kokë e këmbë. Nuk asnjë vlerë. As demokratike e as europiane. Nuk përfaqëson askënd, përveçse interesat e një organizate kriminale që ka pushtuar politikën e njërit krah dhe e përdor ideologjinë e majtë si rreckën për të mbuluar flamurin me kafkë e kokë të një grupimi kleptokratësh e sektokratësh që në vigjilje të tij të grabitjes së votave u vetëquajt Rilindje, me në krye aksidentin më të madh historik të demokracisë sonë , statujën e korrupsionit e degradimit politik, Ramën.
Z.Basha tha se detyra e parë e qeverisë tranzitore është që të arrestojë politikanë për vjedhje votash. Si do të arrihet dhe kush do jetë kryeministër në këtë qeveri tranzitore? Kush është figura që e garanton garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, siç opozita kërkon?
Beteja jonë nuk është çështje emrash. Rama apo klon i Ramës, sepse tek e fundit “të gjithë derrat një turi kanë”. Beteja jonë është çështje sistemi. Çështje e përmbysjes së sistemit qeverisës që vjedh, grabit, dhunon, frustron qytetarin. Sistem që lind nga krimi dhe i shërben krimit. Përfaqësuesi më tipik dhe i parë që duhet të shporret është sigurisht Rama. Pas tij e gjithë ngrehina e ndyrë e shpurës, adjutantëve, servilëve, puthadorëve, shërbëtorëve. Qeveria tranzitore do duhet të garantojë vazhdimin e reformave evropianizuese për të mundësuar çeljen e negociatave dhe realizim e zgjedhjeve të ndershme e të lira brenda një kuadri të plotë ligjor që shmang krimin, hajdutërinë e vjedhjen. Si hap i parë i saj është frymëzimi dhe iniciativa për të mbështetur dërgimin prapa hekurave të arkitektëve që sot shijojnë veprën e tyre të votës së grabitur nga maja e pushtetit, të faktuar me prova prokurorie, e që nesër duhet të kundrojnë e shijojnë procesin të çliruar prej tyre, nga qelitë e rezervuara për to.
Brukseli apelon opozitën se djegia e mandateve, është kundër integrimit në BE. Është koincidencë që aksioni opozitar nis disa muaj para se BE të flasë për anëtarësimin e vendit në BE?
Brukselit do t’i duhet të shohë shkakun që solli djegien e mandateve, sepse aty do gjejë se ku “fle lepuri” dhe i mosçeljes së negociatave dhe nga ana e tij, e shprehur tashmë në shumë forma para verdiktit final të qershorit.
Intervistë për “Koha Jonë” deputeti i PD-së, Luçiano Boçi: Në qeli arkitektët e votës së grabitur nga maja e pushtetit