Agjencia e Përgjithshme e Prokurimeve u ka tërhequr së fundmi vëmendjen institucioneve që të jenë të kujdesshme lidhur me tenderët, pasi nga formularët standard të dërguar lidhur me zbatimin e kontratave dhe monitorimet janë vënë re problematika të lidhura me disa aspekte.
Së pari APP vlerëson se nga ana e institucioneve bëhet marrja në dorëzim e mallrave apo artikujve objekt prokurimi, duke mos u shoqëruar me procesverbalin e marrjes në dorëzimi dhe fletëhyrjen konform legjislacionit në fuqi. “Për këtë qëllim sjellim në vëmendje të autoriteteve kontraktore që të dokumentojnë marrjen në dorëzim të objektit të prokurimit nëpërmjet mbajtjes së dokumentacionit përkatës që parashikon legjislacioni në fuqi”, – thuhet në dokumentin e APP.
Nga ana tjetër, kjo e fundit nënvizon se mallrat apo artikujt objekt kontrate, të paraqitura nga operatori ekonomik fitues, nuk janë sipas specifikimeve teknike pjesë e dokumenteve të tenderit mbi bazën e të cilave është paraqitur, vlerësuar dhe shpallur fitues operatori ekonomik. Në këtë rast APP thekson se autoritetet kontraktore që të verifikojnë mallrat/artikujt objekt kontrate të dorëzuara nga kontraktori, nëse ato janë në përputhje me specifikimet teknike të vendosura në dokumentet e tenderit mbi bazën e të cilave është konkurruar.
APP nënvizon se ka konstatuar se autoritetet kontraktore përfituese nuk respektojnë afatin e përcaktuar në rregullat e prokurimit publik për dërgimin e formularit të njoftimit të kontratës së nënshkruar pranë Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara.
“Sjellim në vëmendje të autoriteteve kontraktore se duhet të respektojnë afatin e përcaktuar në nenin 6 të VKM ku shprehimisht përcaktohet se: “Në rastin e prokurimit të përqendruar, autoritetet kontraktore përfituese duhet të dërgojnë njoftimin e kontratës së lidhur pranë organit qendror të blerjes jo më vonë se 5 ditë pas nënshkrimit të kontratës. Organi qendror blerës dërgon për publikim Buletinin e Njoftimeve Publike njoftimin e kontratës së lidhur jo më vonë se 5 ditë pas marrjes së këtij njoftimi nga autoriteti kontraktor”, thuhet në shkresën e APP.