Interi e ka fokusuar merkaton e madhe në Spanjë. Pas sigurimit të shërbimeve të mbrojtësit uruguajan Diego Godin si një transferim të lirë nga Atletico Madrid, në fund të këtij sezoni, zikaltrit janë afër një tjetër goditjeje të madhe nga La Liga. Siç bën me dije “Calciomercato.com”, Ivan Rakitic ka zgjedhur të lëvizë në Milano. Këto ditë, Marotta dhe Ausilio janë takuar me drejtuesit e Barcelonës, duke ofruar 35 milionë euro për mesfushorin kroat (mbush 31 vjeç më 10 mars). Kjo ofertë është 10 milionë më pak se kërkesa e bërë nga klubi katalanas. Gjithashtu, sipas “Gazzetta dello Sport”, marrëveshja parashikon një pagesë disavjeçare për nënkampionin e botës, së cilës do t’i shtohen edhe shpërblimet në bazë të rezultateve të ekipit. Rakitic është nën kontratë me Barçën deri në vitin 2021, me një angazhim prej 5.5 milionë euro neto në vit. Interi është gati të nënshkruajë me të një kontratë të tillë 3-vjeçare, deri në qershor 2022.