Akti i fortë i opozitës për djegien e mandateve të deputetëve të saj po përballet me një sulm të trefishtë. Së pari janë ndërkombëtarët që e kanë quajtur atë një veprim që minon demokracinë dhe pengon të ardhmen e integrimit; së dyti është qeveria që e ka përshkruar si një ftesë për pushtet në tavolinë nga ata që nuk e fitojnë dot me zgjedhje; Së treti, mediat e pushtetit që nuk po e ndalin diversionin.
Por pavarësisht nga këto, pasi sot Basha dhe Kryemadhi e kryen edhe ligjërisht aktin dorëzimit të mandateve, tani topi ka mbetur në dorën e kryeministrit.
Ai me kokëfortësi ka ushqyer veten se kjo nuk do të ndodhte. Rama u tha deputetëve të vet të hënën, plot siguri, se PD- LSI nuk kishin konsensus për ta ndërmarë këtë hap radikal. “Luli po luan me bllofin”, i qetësoi ai të tijët. Vetëm pasi Basha e shpalli publikisht nismën, pasi atij ju bashkuan LSI dhe aleatët, kryeministri u pa i shqetësuar.
Mediat kosovare e kapën atë në flagrancë gjatë festimit të përvjetorit të pavarësisë në Prishtinë, kur ai nuk komunikonte me asnjë të ftuar por vetëm qëndronte non stop në celular me Tiranën. Ata që i kanë ndenjur pranë në Kosovë, tregojnë se Rama ishte plot humor dhe i qetë një ditë pas mitingut të së shtunës, i cili sipas tij dështoi. Ai nuk e priste kundërveprimin e radhës. Tensioni i tij filloi të rritej te dielën paradite në Kosovë, kur mori vesh se Basha do njoftonte djegien përfundimtare të mandateve. Por edhe deri dje në mesditë, kur djegia e mandateve qe bërë fakt, Lapsi.al ka mësuar se Rama u ka thënë njerëzve të tij të afërt, se ajo është një lëvizje simbolike dhe se PD- LSI nuk do t’i firmosin kërkesat për lënien e mandateve me pretekstin që vendet e tyre mos okupohen nga opozitarë fallco.
Pra non stop, për katë ditë me radhë, kryeministri ka dashur të besojë atë që i shkonte për shtat dhe këtë optimizëm pa bazë ua ka shpërndarë edhe bashkëpunëtorëve të tij të afërt. Taulant Balla gjithashtu, e ndau këtë optimizëm të martën në mbrëmje në Opinion.
Dhe me të drejtë, me opozitën që nuk e përfillte në parlament dhe që e masakronte me variantin Gjushi- Avdylaj në zgjedhje, ai qe i fituar: edhe drejtonte si autokrat edhe fasadën demokratike e ruante.
Por tani pas aktit radikal të opozitës, pasi furia e sulmeve ndaj saj të zbehet, topi do të mbetet në fushën e Ramës.
Çfarë do të bëjë ai, do të shkelë ligjin duke mos i plotësuar vendet vakante të opozitës në Kuvend, apo në të kundërt do të bëhet lideri i vetëm në Europën Perëndimore që udhëheq një vend monopartiak?
Po në qershor janë zgjedhjet lokale, në të cilat është non sens që të futen ato forca që kanë braktisur Kuvendin. Prap topi është në fushën e Ramës. Do zhvillojë të parat zgjedhje ne 30 vjet pa opozitë? Dikur Berisha kryeministër, i shtyu ato për pretekstin absurd të një çertifikate. Po Rama do ta thellojë krizën duke i shtyrë, apo do të marshojë përpara drejt autoritarizmit ekstrem?
Pas aktit të djegies së mandateve, është hera e parë në këto pesë vite që Edi Rama duhet të marri vendime për baste të mëdha. Jo se si lyhen pallatet apo ku vendosen kërpudhat, por si do ta drejtojë vendin: në rrugën pa kthim drejt diktaturës apo në të kundërtën e saj.
Pas kësaj lëvizjeje radikale, ai një gjë tashmë e ka të sigurtë, nuk jep dot më koncesione dhe PPP, as nuk vjedh dot më zgjedhje, duke ruajtur njëkohësisht edhe aureolën e demokratit.
©Lapsi.al
… [Trackback]
[…] Find More Information here on that Topic: startnews.news/2019/02/21/djegia-e-mandateve-si-u-kap-rama-krejt-ne-befasi-nga-levizja-e-opozites/ […]
Comments are closed.