BallinaOP ED‘Dora e huaj’ në krizën tonë

‘Dora e huaj’ në krizën tonë

spot_img
spot_img

Nga Alfred Lela

Kur protestuesit e së shtunës së 16 shkurtit prishën kërpudhat e gjermanit Holler, kryeministri Edi Rama i kërkoi falje artistit të huaj. Ishte një mea culpa e llojit ‘fali (im)Zot se nuk e dinë çfarë bëjnë!”. Para se të vinte falja kishte ardhur ndërshkimi. Ambasadat kryesore, të Britanisë, vendeve të BE-së dhe ShBA-ve, me ngut kishin dalë me deklarata që dënonin dhunën, pa i dhënë kohë protestës të shpalosej e plotë në sytë e tyre dhe të botës.

Të huajt kanë mbërritur gjithmonë kështu, me një forcë impresionuese në vetëdijen politike e shoqërore shqiptare, dhe kjo mund të shihet në të gjitha shënimet e udhëtarëve të huaj që kanë kaluar nëpër Shqipëri. I kemi pritur gjithmonë me drithërima yjet e mplakur të filmit dhe të muzikës, të harruar tashmë në vendet e tyre. Me të njëjtën dalldi kemi veneruar ambasadorë apo emisarë të huaj që, në të gjitha rastet, do të ishin zyrtarë të rëndomtë, aparatçikë radhe në administratat e stërmëdha të Fuqive. Kjo ksenofili e shqiptarit, në një botë të mbushur me ksenofobi, është mister më vete.

A është respekt, frikë apo ngashnjimi për tjetrin i një populli vazhdimisht të izoluar?

Të tillë, me këtë varësi dhe moskuptim, na gjeti edhe messhkurti i këtij viti. Debati politik, më shumë se te kriza vetë, është mbërthyer te ‘çfarë mendojnë dhe thonë ndërkombëtarët?’. Eshtë përherë kështu, pavarësisht palës që qeveris. Nëse të djathtët janë në pushtet, i mëshojnë ata kësaj teze. Nëse ndërrohen vendet, të majtët i bien të njëjtit instrument.

Kjo për të thënë se ndërkombëtarët janë, kryesisht ose gjithmonë, në anën e qeverive. Për arsye që kanë të bëjnë sa me faktin se negociatat për interesa gjeopolitike, apo lëshime ekonomike, bëhen me qeveritë, si dhe për atë se forcat e pushtetit kontrollojnë balancat e stabilitetit. Opozitat mbështeten vetëm në rastet kur qeveritë shkojnë kundër interesave gjeostrategjike apo ekonomike të Fuqive të mëdha. Në të shkuarën, edhe si pasojë e luftës ideologjike, siç ka qenë rasti i shumë vendeve në Amerikën Latine etj.

Në një rast si Shqipëria, ku opozita dhe qeveria nuk kanë patur dallime në aleancat strategjike, forcat në pushtet kanë gëzuar më shumë mbështetje. Pavarësisht këtij animi dhe lëkundjes së pendulit të simpatizantëve të palëve politike, pro ose kundër këtij ose atij ambasadori, mbështetja popullore për Europën, dhe sidomos ShBA, ka qenë e paprecedent.

Ndërkombëtarët kanë qenë kryesisht korrektë; për të mos e shkelur apo abuzuar këtë status të veçantë dhënë nga shqiptarët. Qeveritë shqiptare, në këmbim, janë munduar të tregohen luajale duke mos marrë vendime që bien ndesh me interesat e aleatëve të mëdhenj.

Sjellja e ndërkombëtarëve në Shqipëri, duhet thënë, ndikohet edhe nga një faktor i tretë, që ka të bëjë me kontekstin politik dhe shoqëror në vendet përkatëse, por edhe me një kontekst më të gjerë global. Stina politike ku gjenden aktualisht, si vendet e Europës, ashtu edhe Amerika, ka parë një zhvendosje të parapëlqimeve drejt populizmit dhe politikanëve që mbështeten në teza populiste. Të tilla janë izolimi, frenimi i emigracionit, rishikimi i marrëveshjeve të tregtisë së lirë, e të tjera. Hegjemoni i dikurshëm dhe aktual, ShBA, është nën kërcënimin e vazhdueshëm të hegjemonëve të rinj Kinës, Rusisë dhe Iranit.

Emigracioni dhe terrorizmi janë dy kërcënime për stabilitetin dhe të dyja e kanë zhvendosur vëmendjen e fuqive të mëdha nga Shqipëria dhe rajoni ku ajo bën pjesë. Shqipërisë i duhet vetëm të luajë aktorin e paqtë në marrdhëniet rajonale dhe të mos shkaktojë kriza stabilieti, që do ishin me kosto për partnerët e mëdhenj dhe do ta zhvendsonin vëmendjen dhe kapacitetet e tyre logjistike dhe ekonomike nga ‘vatrat e nxehta’ të konfliktit aktual apo ndonjë tjetri në prag.

Tirana zyrtare ka rëndësi si aktor rajonal dhe kjo i ka lënë rast qeverisë aktuale të Edi Ramës që të shtrembërojë shumë prej standardeve më parë të monitoruara më me kujdes nga ambasadorët e huaj në Shqipëri. Gjatë 6 viteve të qeverisë Rama, ndërkombëtarët kanë bërë pak ose aspak për të ndalur penetrimin e krimit deri në korridoret e larta të politikës. Deputetë dhe kryetarë bashkish me të shkuar të dyshimtë u instaluan dhe promovuan nga Rama duke ndeshur në shkujdesjen e të huajve. Atë që qeveria e Partisë Demokratike ‘legalizoi’ në Lazarat, qeveria e PS e shtriu në të gjithë territorin. Ambasadorët u panë fillimisht në krah të Tahirit, duke djegur disa qindra rrënjë kanabis, për të mbyllur sytë më pas para milionave që e bënë Shqipërinë folenë e një ekonomie të zezë që i dha fund çdo ekonomiksi normal.

Atë që denonconte opozita dhe një pjesë e medias së pakontrolluar nga qeveria, selive diplomatike në Tiranë ua konfirmonin edhe shërbimet e tyre inteligjente. Për të mos prishur ‘aleancën me qeverinë’ përqendruar te Reforma në drejtësi, aleatët e Shqipërisë heshtën si ‘gjethja e kanabisit’.

Edhe pse, të gjithë bashkë, u vunë para një paradoksi. Një qeveri që shiste retorikën e një drejtësie të paanshme dhe të drejtë kishte instaluar në administratë dhe në Kuvend individë me probleme me drejtësinë.

Pasi e mbështetën dekriminalizimin, një aksion politik i propozuar nga shefi i opozitës Basha, ndërkombëtarët u futën sërish në paradoks, kur zhbënin një raport shkak-pasojë të pranuar edhe nga mendja më naive. Që do të thotë: nëse ka patur kriminalizim të pushtetit dhe degëve të tij, si pasojë e kësaj ka edhe qarkullim monetar të inkriminuar që ndikon në procesin zgjedhor.

Ndërsa qeveria tregohej përqeshëse me denoncimet e opozitës, dhe të huajt shpërfillës, koktetj i gjithë kësaj, përzier edhe me rënien e parametrave të jetesës, në një ekonomi që nuk mbështetet te prodhimi dhe as shërbimet, por te ‘paraja informale’ rezultoi në atë skenë që shohim sot.

Opozita ‘u dorëzua’ duke dorëzuar mandatet parlamentare dhe duke shtrirë dorën për mbështetje popullore. Në dy protesta të njëpasnjëshme nuk mund të thuhet se ajo nuk e ka takuar ‘popullin e vet’, apo se populli nuk ka ecur drejt nevojës së tij.

Në këtë dritë të zhvillimeve të reja duhet të shohim në një dritë të re edhe ndërkombëtarët.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular