KLSH: Shkolla e administratës “pa busull”, nuk u përgjigjet ndryshimeve në institucione

1
332

Trajnimi i administratës dhe plotësimi i saj me njohuri shtesë dhe sipas nevojës dhe ndryshimeve që pësojnë proceset e punës ishte një nga pikat ku do të vihej theks i vazhdueshëm pak vite më parë.

Jo rastësisht u ngrit një strukturë e njohur si Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA), e cila do të kishte pikërisht këtë mision. Por duket se vetë kjo shkollë ka humbur “busullën” për trajnimet që duhet të kryejë, duke qenë se, sipas një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) vlerësohet se nuk ka asnjë përshtatje të trajnimeve që kryhen me prioritetet dhe ristrukturimet që kanë pësuar institucionet ndër vite.

“Megjithëse, në trevjeçarin e fundit, struktura dhe detyrat funksionale në institucionet publike, kanë pësuar ndryshime të shumta (si rezultat i ristrukturimit apo reformave qeveritare me qëllim konvergimin me institucionet publike europiane), programet e trajnimit të nevojshme për t’i mbështetur ato (të ofruara nga ASPA, apo vetë institucioni publik), nuk kanë pasur të njëjtin trend në numër, apo llojshmëri. Të patrajtuara mbeten jo vetëm nevojat e paidentifikuara, por dhe ato të identifikuara e të synuara për t’u trajtuar brenda 2017-s” thuhet në auditimin e mbyllur pak kohë më parë nga KLSH dhe që ka marrë në analizë performancën e Shkollës së Administratës Publike ndër vite.

Po kështu vlerësohet se ASPA është një institucion me një buxhet gjithmonë e më të cunguar dhe statusi i saj, si institucion qendror trajnimi është i paqartë. Cilësia e programeve aktuale të trajnimit, të ofruara nga ASPA, është e ulët dhe me risk të lartë

Nga ana tjetër, sikur të mos mjaftonte mungesa e rifreskimit të materialit trajnues KLSH ka nënvizuar se mungon edhe procesi i standardizimit për mënyrën sesi janë përzgjedhur trajnuesit. Sipas KLSh, ASPA nuk ka procedura të miratuara për vlerësimin e kandidatëve për trajner, apo për rekrutimin e tyre.

“Formatet e kontratat që ASPA ka lidhur gjatë kohës së funksionimit të saj, janë të pamiratuara me ndonjë akt apo urdhër të brendshëm, për të siguruar kështu konsistencën dhe standardizimin e tyre. Grupi i auditimit nuk mundi të identifikojë procedurat që ndiqen nga ASPA për të bërë thirrjen për trajner, për të realizuar aktivitetin e hartimit të kurrikulave, përditësimin e tyre, apo vetë procesin trajnues. Është e paqartë se si janë tërhequr nga ASPA, ofertat më cilësore për realizimin e këtyre aktivitete, gjatë viteve të funksionimit të saj” vlerëson KLSH.

Nga ana tjetër, edhe pse janë kryer trajnimet, audituesit nënvizuan se nuk është bërë ndonjë sistem vlerësimi për mënyrën sesi kanë ndikuar trajnimet e bëra në performancën e punonjësve në vendin e tyre të punës. Kjo sipas KLSH pengon edhe vetë ministritë e angazhuara në këtë nismë që të kuptojnë ndikimin apo dobinë e trajnimeve. Monitor

1 Koment

  1. … [Trackback]

    […] Find More on to that Topic: startnews.news/2019/02/26/klsh-shkolla-e-administrates-pa-busull-nuk-u-pergjigjet-ndryshimeve-ne-institucione/ […]

Comments are closed.