Theresa May shkoi edhe për shkak të Brexitit në takimin e nivelit të lartë me Ligën Arabe që u mbajt në Egjipt. Por ajo u kthye me duar bosh në shtëpi.
Kryeministri holandez Mark Rutte, u përpoq në takimin në Sharm el Sheik të qetësonte ujërat. Ai i tregoi Theresa May-it për një monstër të madhe ngjyrë blu, që qeveria e tij pati krijuar për të paralajmëruar sipërmarrjet në Hollandë për pasojat e Brexitit. Por, megjithëse Rutte bëri shaka me kryeministren May, paralajmërimi ishte i hidhur: “Ne vijmë vërdallë si somnambulë në një skenar pa rrugëdalje. Kjo nuk mund të pranohet dhe miqtë duhet t’jua thonë. Zgjohuni nga gjumi! Ky është realiteti. Bini dakord dhe lidhni marrëveshjet!”
Shtyrja do ishte zgjidhje e arsyeshme
Një gjysmë ore i dha kancelarja gjermane Angela Merkel, koleges së saj britanike në plazhin e Egjiptit ku u zhvillua takimi i nivelit të lartë BE- Liga Arabe. Më pas u tha se Merkelit i janë shpjeguar, cilat do të jenë hapat e mëtejshëm. Për përmbajtje të reja nuk u fol. Por u fol për mundësinë e shtyrjes. Presidenti i Këshillit, Doland Tusk e sheh këtë si zgjidhje “racionale”, për të mos thënë të vetmen të arsyeshme. 27 vendet anëtare do të tregojnë “mirëkuptim maksimal dhe vullnet të mirë”, për të bërë të mundur shtyrjen. Sepse Tusk mendon se koha që Theresa May i ka lënë qeverisë dhe parlamentit është shumë e shkurtër
Ajo i ka vendosur afat Dhomës së Ulët të përfaqësuesve që më 12 mars të votojë për herë të dytë Brexitin. Nëse e humbet sërish këtë votim, atëherë do të mbetet vetëm një Brexit kaotik ose siç u tha, shtyrja. Edhe nëse do të fitonte, do të mbetej pak kohë për të dy palët që të bëjnë marrjen e vendimeve dhe ratifikimin. Donald Tusk e di po ashtu se Theresa May këmbëngul që Brexiti të kryhet në afat, deri më 29 mars.
Nuk ekziston asnjë tregues që të tregojë se kjo do të arrihet, sepse edhe një takim me shefin e Komisionit Jean – Claude Juncker nuk solli rezultate. U fol për biseda “konstruktive”, siç thuhet gjithnjë. Europianët duhet të presin nëse May-it do i bëhet në mars një propozim për zgjidhjen e problemit kufitar me Irlandën, i cili të marrë shumicën në parlament. Vetëm atëherë ajo do të ishte në gjendje të merrte në Bruksel pohimet përkatëse.
Brexiti ende i mundshëm?
“Është brenda mundësive tona që t’i dorëzojmë Bashkimit Europian një marrëveshje më 29 mars,” përsëriti Theresa May në fund të Sharm el Sheik. Por kjo është thënë që në nëntor, kur u ra dakord me BE për marrëveshjen e daljes nga BE, dhe besimi se kjo do të arrihet mungon. May tha se sheh “vendosmëri të vërtetë tek kolegët e BE për të gjetur një zgjidhje”. Por vendosmëria ka filluar të bjerë, thotë kryeministri irlandez, Leo Varadkar duke theksuar, se nuk do të ketë “backstop” me kufizim kohor ose ndonjë klauzolë të njëanshme daljeje për britanikët. Kështu kërkesa kryesore e ndjekësve të vijës së ashpër në partinë e Theresa May-it mbetet e paplotësuar. Ajo që ofron BE është një siguri ligjore për një “backstop” kalimtar.
Shtyrje dhe për sa kohë?
Irritim shkaktoi ditën e hënë deklarata e një ministri të Theresa Mayi-it, që tha se duhet krijuar perspektiva e shtyrjes, nëse marrëveshja nuk arrihet në minutën e fundit. Por, May e hodhi këtë poshtë menjëherë, për të mos nxitur zemërimin e brexitësve. Por edhe në Downing Street është duke u menduar për një “shtyrje teknike” prej dy muajsh. BE pati menduar për një afat tremujor deri në fillim të korrikut, për t’ i shpëtuar pjesëmarrjes britanike në zgjedhjet europiane në fund të majit. Por a mund të bëhen gjërat në një periudhë kaq të shkurtër?
Prandaj diplomatët e BE në Sharm el Sheik nxorrën një ide të re. Britanikët duhet të qëndrojnë deri më 2021 anëtarë të BE, për të bërë transformimin në kohën kalimtare. Kështu do mënjanohej problemi me backstop-in dhe Britania mund të mendojë në qetësi për të ardhmen e vet. Kjo shkaktoi gjendje shoku tek brexitët
Çfarë ndodh në parlament?
Ditën e martë Theresa May duhet të dalë me një deklaratë para parlamentit në Londër. Po çfarë mund të thotë ajo nëse nuk ka sjellë të reja me vete? Faktikisht këtë ditë duhej bërë prezantimi i një versioni të përpunuar të marrëveshjes së daljes nga BE. Por ajo nuk ka në dorë asnjë gjë, prandaj hoqi dorë nga votimi i planifikuar të bëhet të mërkurën.
Zemërimi është i madh. Opozita flet për mungesë përgjegjësie dhe taktikë për të ushtruar presion. Deputetja Yvette Cooper tha kështu: “Pak javë para ne nuk e dimë çfarë Brexiti do të kemi dhe dy javë para do të duhet të votojmë”.
Ditën e mërkurë ajo do të bëjë kërkesë për ndryshime, të cilat do i lidhin duart Theresa May-it. Nëse ajo nuk do të ketë marrëveshje daljeje nga BE deri më 13 mars, atëherë parlamenti do e detyrojë kryeministren të bëjë kërkesë për shtyrje dhe të përjashtojë mundësinë për një dalje nga BE pa marrëveshje. E paqartë është aktualisht, se si mund të lidhet kjo me një kërkesë tjetër për një referendum të dytë.