BallinaKronikeAhmet Prençi: Sandër Leshi po e transformon Policinë si armë në duart...

Ahmet Prençi: Sandër Leshi po e transformon Policinë si armë në duart e pushtetit kundër popullit

spot_img
spot_img

Ahmet Prençi, ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë, se ministri i Brendshëm, me urdhëresën që të pranohen në Policisë e Shtetit edhe ushtarakë, po shkel ligjin, sepse kërkon që të transformojë policinë e Shtetit në një armë të pushtetit kundër popullit. Ndërsa për përdorimin e gazit helmues, zoti Prençi thotë se prokuroria duhet të fillojë hetimet kundër atyre që dhanë urdhër, të hetojë çfarë gazi helmues u përdor, nga erdhi, ndërsa Shërbimi i Çështjeve të Brendshme të Ministrisë së Brendshme nuk mund të hetojë, sepse urdhërohet nga ministri.
-Zoti Prençi ditët e fundit ministri i Brendshëm nxjerr një urdhëresë me fuqi ligjore që edhe ushtarakët të pranohen në Polici. A shkelet ligji?
– Unë publikisht kam mbajtur qëndrim kundër, para se Komisioni i Sigurisë Kombëtare të shqyrtonte dhe rrëzonte ndryshimet e Ligjit të Policisë së Shtetit që I kërkonte Ministri i Brendshëm pikërisht për këtë qëllim. Në opinionin tim, të publikuar, unë kundërshtoja angazhimin e ushtarakëve në polici, pasi misioni i tyre është i ndryshëm që në formimin bazë, në eksperiencën e tyre dhe qëllimin për të cilin janë krijuar. Nëse ushtria është një forcë që përdoret për luftë, policia është një shërbim që u bëhet qytetarëve. Janë dashur rreth 30 vjet për ta ndryshuar policinë nga një forcë në duart e pushtetit komunist në një shërbim ndaj qytetarëve të lirë. Ministri i Brendshëm, meqenëse vetë ka formim ushtarak, po përpiqet që ta transformojë policinë, duke e kthyer edhe një herë në një armë në duart e pushtetit kundër popullit të tij. Këtë po e tregon me konceptin e gabuar që ka në mendje dhe që reflektohet në tentativat për t’i materializuar në Ligj. Dhe urdhri i ditëve të fundit për 100 ushtarakë të instaluar në polici për mendimin tim është i panevojshëm, i gabuar dhe me pasoja. Rekrutimi në polici i specialistëve me njohuri të veçanta në fusha të ndryshme është i nevojshëm, përfshi dhe ushtarakë por ky numër është i limituar dhe kurrsesi s’ka të bëjë me zbatimin e ligjit por me qëllimin e mbrapshtë që ka në filozofinë e tij Ministri.
-Ju si e kuptoni këmbënguljen e ministrit Lleshi që ushtarakët të pranohen në Policinë e Shtetit?

– Unë mendoj që Ministri kërkon të sjellë njerëzit besnikë të tij. Saimir Tahiri solli militantët e tij, Fatmir Xhafa sapo mori detyrën i ndryshoi militantët e Saimirit për të sjellë të vetët. Ky aktuali nuk ka militantë pasi nuk është deputet por ka gjetur dhe ky mënyrën për të ndërtuar rrjetin e tij në Policinë e Shtetit me njerëz besnikë e të bindur që të plotësojë prioritetet e Edi Ramës në rrugë militare, siç po e shikojmë në protesta. Këto eksperimente ministrash me trupën e policisë janë shkatërrimtare për të. Unë çuditem, pse misionet monitoruese e këshilluese të huaja (PAMECA dhe ICITAP) nuk reagojnë.

– Kush e ka kompetencën të urdhërojë Policinë e Shtetit të përdorë gaz lotsjellës kundër protestuesve?

– Legjislacioni shqiptar është i paplotë për raste të tilla. Tek Ligji “Për armët” përmenden: “armët për përhapjen e gazrave irituese” dhe “municionet shpërthyese”. Procedurat standarde të punës së Policisë nuk detajojnë hapat konkretë të përdorimit dhe mënyrës së aplikimit të tyre. Edhe në sheshe lufte janë të ndaluara Lëndët Helmuese Luftarake ku hyn dhe gazi lotsjellës. Parlamenti Evropian e ndalon përdorimin e tyre. Unë në karrierën time si anëtar e, më pas, drejtues i policisë së Shtetit për disa vite nuk përdora kurrë këto metoda kundër bashkëqytetarëve të mi, edhe pse ka pasur protesta të shumta. Kompetencën për të urdhëruar, në kushtet se si funksionon sot policia e shtetit që është kthyer në një vegël në duart e pushtetit e ka Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm. Me dhimbje e them se, sot Prokuroria është inekzistente. Një hetim i menjëhershëm i Prokurorisë për urdhëruesit dhe kushtet se si është përdorur gazi lotsjellës, ku dhjetëra qytetarë kanë përfunduar të shtrirë në rrugë dhe në urgjencën spitalore, ishte emergjente. Prokuroria duhet të kishte informuar publikun mbi analizën kimike të lëndës së përdorur si dhe personat e urdhëruesit e tyre kanë apo jo përgjegjësi për këto pasoja që u sjellin qytetarëve duke përfshirë gra shtatzëna e njerëz të moshuar.

– Ka denoncime që Policia e Shtetit nuk përdori gaz lotsjellës por gaz tjetër më helmues. A e lejon ligji Policinë të përdor tjetër lloj gazi?

– Nuk di të them se çfarë gazi është përdorur. Nuk di çfarë prodhimi është ai gaz, nuk di përbërësit e tij. Këtë e sqaron një hetim që Prokuroria shpresoj ta ketë filluar, e që e ka për detyrë ta bëjë. Ajo bën ekspertimin kimik të lëndës dhe përcakton shkencërisht se çfarë është ajo lëndë?! Nga ka ardhur?! A lejohet përdorimi i saj në turmë?! Çfarë pasojash sjell?! etj. Për mendimin tim, në kushte normale, duhet që urdhëruesit politikë të përdorimit të gazit helmues nga Policia dhe Grada të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Edhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme në MB, në kushte normale, duhet të kishte inspektuar rastin e të dilte me rekomandime të qarta për atë çfarë ka ndodhur por kjo s’mund të bëhet kur ky institucion është nën Ministrin e Brendshëm, urdhëruesin e përdorimit të tyre. Gjithmonë policia përgjigjet me të njëjtin intensitet me sulmin e protestuesve. Unë, me aq sa kam parë, nuk mendoj kurrsesi që ishim në kushtet e masave më ekstreme që përdori policia ose garda. E them këtë, pasi kam parë dhe punonjës policie të helmuar ashtu si qytetarët nga gazi lotsjellës. Kjo tregon që eksponentë të caktuar të forcave speciale apo të gardës që me qetësi dhe devocion të madh hedhin helm mbi bashkëqytetarët e tyre dhe kolegëve të tyre, punonjës policie. Këtë e bënë militarë të Ministrit Lleshi që e mendojnë veten në frontin e luftës e jo përballë bashkëqytetarëve të tyre në pikë të hallit. Nuk kam parë të ezaurohen kordonët e duhur të policisë që përballojnë turmën, përfshi dhe përballjen shteruese me trupën speciale të policisë e pajisur me gjithë arsenalin e vet mbrojtës. Nuk kam parë veprime ekstremisht të dhunshme nga protestuesit e më pas kur mbarohen këto veprime mund të kalohet në ekstremitetet e gazit e të plumbave plastikë.  Telegraf

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular