Në total të ardhurat buxhetore janë planifikuar 486.6 miliardë lekë këtë vit dhe do të rriten me 4.7 për qind në krahasim me një vit më parë, por barra tatimore për bizneset këtë vit do të rëndojë më së shumti në muajt mars maj, qershor, korrik dhe dhjetor.
Kalendari i arkëtimeve nga tatimet dhe taksat duket se do të ndjekë ciklin vjetor të ekonomisë ku në muajt e verës dhe në fund vit ka një volum më të shtuar të tregtisë dhe turizmit.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave buxheti 2019 do tëgrumbullojë 21.9 miliardë lekë më shumë se vitin 2018. Plani më i lartë i arkëtimeve i takon muajit dhjetor të vitit 2019 ku janë parashikuar të mblidhen 49. 9 miliardë lekë ose 3,6 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.
Mesatarja mujore e grumbullimit te të ardhurave është rreth 40 miliardë lekë në muaj, teksa shihet se bizneset se këtëvit do të kenë ngarkese më të madhe të pagesës së taksave në raport me 2018 gjatë muajit mars. Këtë muaj bizneset do të paguajnë 3.67 miliardë lekë më shumë se vitin e kaluar.
Gjithashtu në muajt maj, qershor, korrik bizneset do të paguajnë rreth 2 miliardë lekë për secilin muaj në raport me një vit me parë.
Vetëm për muajin janar financat kishin planifikuar të grumbullonin 183 milionë lekë më pak se plani i vitit të kaluar.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave gjatë muajit janar u mblodhën rreth 860 milionë lekë më pak se gjatë janarit të vitit 2018 (fakti).
Në total të ardhurat këtë vit pritet të jenë 486 miliardë lekë. Të ardhurat nga “T.V.SH-ja” parashikohet të jenë 153.3 miliardë lekë.
Të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” vlerësohen me rritje 7% ose 2.2 miliardë lekë më shumë se viti 2018.
Të ardhurat nga “Akciza” vlerësohen të jenë 48.3 miliardë lekë, me një rritje prej 2.8 miliardë lekë ose 6.2% më shumë se pritshmëritë për vitin 2018.
Të ardhurat nga “Tatimi mbi të Ardhurat Personale” parashikohen 43.4 miliardë lekë, me rritje +16% ose +6 miliardë lekë më shumë se viti 2018.
Të ardhurat nga “Taksa Doganore” në vitin 2019 vlerësohet të jenë 7.4 miliardë lekë, me rritje 390 milionë lekë ose 5.6% krahasuar me vitin 2018, realizimi i pritshëm i të cilit parashikohet të jetë 7 miliardë lekë.
Të ardhurat nga “Kontributet për Sigurime Shoqërore e Shëndetësore” në vitin 2019 parashikohet të jenë 97.9 miliardë lekë, nga 91.5 miliardë lekë që do arkëtohen në vitin 2018.
Ministria e Financave e mbështeti programin e të ardhurave mbështetur në këto faktorë
•rritjen ekonomike çka do reflektohet në rritjen e numrit të punësuarve;
•forcimin e administrimit nëpërmjet kontrollit të nivelit të pagës të deklaruar dhe deviacionit të saj nga paga reale që përfitohet;
•ritmin e rritjes së të ardhurave nga kontributet në dy-tre vitet e fundit;
•efektin për rreth 1 miliardë lekë nga rritja e pagës minimale nga 24 mijë lekë në 25 mijë lekë, duke filluar nga 1 janari 2019.
Monitor