Kush nuk i thotë Hashim Thaçit tradhëtar, “ai është gomar”!

0
317

Nga Enver Bytyçi

Përpjekjet për korrigjimin (në të vërtetë ndryshim-shkëmbimin) e territoreve të Kosovës nga Hashim Thaçit dëshmojnë për tradhëti të lartë të tij dhe komplot me Serbinë e Rusinë kundër shtetësisë dhe sovranitetit të atdheut! Bota e ligë ka shpikur perversitetin e tipit Edi Rama për t’iu kundërvënë ligjeve shtetërore që e dënojnë tradhëtinë!

E nisa me titullin e preferuar të Edi Ramës në invers për të dhënë argumentet logjikë e juridikë pse veprimtaria antishqiptare e Hashim Thaçit dhe Edi Ramës për ndryshimin e kufijve të Kosovës është tradhëti e lartë ndaj atdheut, si dhe një konspiracion e komplot kundër sovranitetit shtetëror të Kosovës. Lexuesi i nderuar do të më lejojë në fillim të interpretoj nga pikëppamja leksikore, etimologjike dhe logjike se cili është nocioni i fjalës tradhëti?
Tradhëtia si nocion ka shumë kuptime. Në kohën e mesjetës ajo gjykohej, vlerësohej dhe ndëshkohej kur dikush tradhëtonte princin, mbretin apo perandorin. Besnikëria ndaj tyre konsiderohej si besnikëri ndaj shtetit. Tradhëtia ndaj tyre dënohej me heqjen e kokës nga sunduesi.
Në kohët e sotme nocioni i tradhëtisë është relativizuar në kuptimin e të qëndruarit besnik ndaj një udhëheqësi, por nuk ka pësuar ndonjë ndryshim thelbësor në raport me qëndrimin e qytetarëve të një vendi ndaj atdheut e kombit. Në thelb me konotacion negativ nga pikëpamja morale trajtohen ende sot nxjerrja e një sekreti të premtuar nga palët, dekonspirimi i një plani, projekti. Si e tillë shihet mosmbajtja e fjalës së dhënë e kështu me radhë. Por nuk ka asnjë kuptim relativ veprimtaria komplotuese në bashkëpunim me armiqtë e kombit tënd për tjetërsimin e kufijve ose rrënimin e shtetësisë, çka ndodh me Hashim Thaçin në Kosovë!
Aksesorë të kësaj tradhëtie konsiderohen thurja e intrigave, shpifjet, akuzat e pabaza, konspiracioni antikombëtar, mbajtja në fshehtësi e qëllimit përfundimtar, interpretimet e qëllimshme për mashtrimin e të tjerëve e kështu me radhë. Dhe nëse analizojmë këto elementë në veprimtarinë e Hashim Thaçit në funksion të ndryshimit të kufijve të Kosovës, shohim se përveç tradhëtisë, në mbështetje të saj përdoren edhe aksesorët që justifikojnë tradhëtinë.
Hashim Thaçi prej gati dy vitesh është angazhuar fuqimisht për tjetërsimin e sovranitetit të Kosovës. Ai, sipas deputetit britanik, John Grogan, ka harxhuar shumë para për të lobuar në Londër dhe vende të tjera për realizimin e projektit serb të ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa Daniel Serëer dje i bëntë thirrje Thaçit që të mos e shesë sovranitetin e Kosovës për një tas qull dhe një festë në Shtëpinë e Bardhë!
Se Hashim Thaçi punon, lobon e lufton për cënimin e sovranitetit të Kosovës, kjo dëshmohet nga deklaratat e tij, por mund të provohet edhe me paratë që ka harxhuar për lobim në shtetet e vendeve mike të Kosovës. Një hetim i pavarur dhe i pandikuar nga politika, do të duhej të gjurmonte burimin e parave të harxhuara prej tij. Ka shumë mundësi që pjesa më e madhe e këtyre parave të vijë nga fondi 50 milion eurosh, të cilat Serbia i harxhon çdo vit për të realizuar shpërbërjen e shtetit të Kosovës. E në këtë rast do të provohej fakti se presidenti i Kosovës ka komplotuar kundër shtetësisë dhe sovranitetit shtetëror. Më parë se Thaçi komplotin kundër Kosovës e kanë projektuar Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq. Por ky i fundit nuk mund të trajtohet si tradhëtar, edhe pse është komplotist i modelit Pashiq! Ai nuk i përket shtetit të Kosovës, por shtetit armik të Kosovës, Serbisë! Se Serbia vazhdon të jetë shtet armik i Kosovës, kjo mund të dëshmohet me një milion fakte e prova!
Që ta provosh veprimtarinë komplotiste të Hashim Thaçit kundër sovranitetit të Kosovës nuk është vështirë. Ai i ka dhënë vetë provat me pohimet dhe deklaratat e tij në mediat vendore e të huaja, me replikat që ka patur me ata që janë kundër ideve serbo-ruse për ndryshim të kufijve, me mashtrimet që ka bërë duke e paraqit bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën si akt të tij pa këmbim territoresh, me intrigat në argumentet kundërthënëse gjoja për të provuar dobinë e ndryshimit të kufijve etj.
Dhe po t’i analizosh këto, atëherë nuk duhet të jesh jurist, prokuror apo gjykatës që të arrish në përfundimin e pakontestueshëm se Hashim Thaçi ka konsumuar veprën e tradhëtisë së lartë ndaj atdheut, se ka komplotuar e komploton bashkë me Edi Ramën kundër shtetit të Kosovës, se nga mostransparenca e tij buron gjithashtu edhe konspiracioni i fshehtë që ai bën kundër sovranitetit të vendit të tij.
Një akt i tillë dënohet nga ligji në të gjitha vendet e botës. Për ta ilustruar këtë po jap shembullin e vendit më liberal në botë, Zvicrës. E drejta penale e këtij vendi e njeh dhe e dënon ashpër tradhëtinë e lartë, kur dikush jep të dhëna dhe informacione kundërshtarëve të Zvicrës, si dhe tradhëtinë ndaj atdheut. Në Austri tradhëtia e lartë dhe ajo ndaj atdheut është e dënueshme sipas nenit § 242 bis 248 StGB dhe § 252 bis 258 StGB të kodit penal. Nëse hap dhe vëzhgon përcaktimin që i bëhet tradhëtisë në ligjet shtetërore, sheh se gjithçka që ka bërë dhe bën Hashim Thaçi dhe Edi Rama kundër sovranitetit të Kosovës është e dënueshme deri me burgim të përjetshëm!
Hashim Thaçi është tradhëtar. Duke e përdorur në invers deklratën e Edi Ramës në Pejë vjeshtën e kaluar, duhet thënë se ai që nuk e quan Hashim Thaçin tradhëtar, “është gomar”!
Presidenti i Kosovës duhet dënuar ligjërisht për tradhëti të lartë kundër atdheut, për komplot ndaj sovranitetit të vendit, për konspiracion dhe bashkëpunim me armiqtë e Kosovës, përkatësisht Serbinë dhe Rusinë, si dhe lobingjet serbe e ruse kudo në botë!
Por nuk ka një prokuror trim e atdhetar në Kosovë që të shpallë akt-akuzën ndaj tij. Ai e ka kapur drejtësinë e Kosovës. Prandaj vazhdon ta konsumojë aktin e tradhëtisë së hapur e pa asnjë brengë apo frikë ndëshkimi. Hashim Thaçi ka kapur dhe politikën, prandaj vazhdon të jetë në krye të shtetit! Sa më gjatë të vijojë kjo situatë e ky qëndrim ndaj Hashim Thaçit, aq më keq do të jetë për sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës!