Fier/Protestë e tensionuar, shtyhen protestuesit nga policia, plagoset një efektiv

1
319

Protestë e tensionuar sot në Fier. Protestuesit janë shtyrë nga forcat e policisë larg trotuarit, çka i ka irrituar ata dhe për rrjedhojë një efektiv policie është qëlluar me sende të forta dhe është larguar nga kolegët i gjakosur.

Mbështetës të PD e LSI-së kanë dalë sot në protestë në Fier duke mbushur rrugët, para vendit ku kryeministri Edi Rama do të ketë takimin e radhës. Me pankarta në duar “Rama ik”, “Rama si Chavez” etj, si dhe me vuvuzela qytetarët kërkojnë largimin e kryeministrit. Forca të shumta policie janë në vend duke mbajtur situatën nën kontroll.

Drejtori i Policisë së Fierit është përpjekur të largojë protestuesit por pa rezultat. Kryetari i PD Fier Luan Baçi ka akuzuar policinë se po provokon protestuesit. Ai ka folur me megafon duke i kërkuar policisë të qëndrojë larg nga protestuesit dhe iu ka bërë thirrje mediave të pasqyrojnë të vërtetën. Sipas Baçit, ka policë të infiltruar mes protestuesve.

Ai iu ka bërë apel gjithashtu dhe protestuesve të mos përplasen me forcat e policisë.

“Mos prekni policët. Nuk dua konflikt me miqtë tanë, me vëllezërit tanë. Policia ka hipur në trotuar, është futur mes protestuesve. Mos provokoni qytetarët”, deklaroi Baçi.

Ndërkohë nga ana e policisë është kërkuar prania e forcave speciale dhe bëhet gjithashtu thirrje që protestuesit të shpërndahen.

Kryeministri Rama ndodhet prej ditës së djeshme në Fier, ku ka zhvilluar disa takime në njësitë administrative të qarkut. Ndërsa sot ndodhet në qytetin e Fierit në kuadër të turit “Bashkia që duam”.

1 Koment

Comments are closed.